Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, tha për RTK, se gjykatësit e Speciales janë plotësisht të pavarur në kryerjen e detyrave të tyre gjyqësore dhe nuk janë pre e asnjë ndikimi jashtë proceseve gjyqësore.
Trendafilova tha se duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes gjyqësore, për shkak të numrit të akuzuarve dhe llojit të akuzave, procesi po ecën me ritëm të rregullt dhe pa ndërprerje të mëdha.
Ajo gjithashtu procesin e përshkruan si të sigurt për dëshmitarët, megjithëse, sipas saj, ka pasur tentime për të ndikuar tek dëshmitarët ose për t’i frikësuar ata.
Sipas Trendafilovës të gjithë të akuzuarit para Dhomave të Specializuara përfaqësohen nga mbrojtës kompetentë dhe profesionistë. “Çdo i akuzuar para Dhomave të Specializuara mund t’i apelojë vendimet para një paneli të pavarur të përbërë nga gjykatës të tjerë të Gjykatës së Apelit, Dhomës së Gjykatës Supreme dhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese”.
Si e keni parë deri më tani procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit?
Fillimisht, dëshiroj të bëj të qartë se përgjigjet e mia bazohen në informacionin publik në dispozicion.
Duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes gjyqësore, për shkak të numrit të akuzuarve dhe llojit të akuzave, unë do të thosha se procesi po ecën me ritëm të rregullt dhe pa ndërprerje të mëdha.
Gjithashtu shoh se akuzuarit kanë mbrojtës profesionistë dhe kompetentë, mjaft të përkushtuar në këtë çështje. Ata marrin në pyetje dëshmitarë, verifikojnë dhe kundërshtojnë provat e paraqitura, si dhe shfrytëzojnë mjetet e ndryshme juridike që ofron korniza ligjore e Dhomave të Specializuara.
Po kështu, procesin do ta përshkruaja si të sigurt për dëshmitarët, megjithëse ka pasur tentime për të ndikuar tek dëshmitarët ose për t’i frikësuar ata.
Të mos harrojmë se dy persona janë shpallur fajtorë për frikësim të dëshmitarëve dhe tre të tjerë kanë pranuar para Dhomave të Specializuara fajësinë për frikësim të dëshmitarëve. Pa paragjykuar rezultatin e gjykimit, pesë të tjerë pretendohet se u kanë dhënë udhëzime dëshmitarëve se si të japin dëshmi.
Nuk mund të ketë drejtësi në qoftë se viktimat dhe dëshmitarët frikësohen dhe nuk ndihen të sigurt të paraqiten në gjykatë për të rrëfyer historitë e tyre. Dhe, në këto raste, kemi parë përpjekje për t’i penguar dëshmitarët të japin versionet e tyre të ngjarjeve që kanë ndodhur në të kaluarën dhe për të përmbushur detyrën e tyre qytetare, si dhe përpjekje të pretenduara për t’u dhënë dëshmitarëve udhëzime se çfarë të thonë. Kjo edhe është arsyeja pse gjysma e çështjeve gjyqësore në Gjykatë kanë të bëjnë me raste të pengimit të drejtësisë.
Kjo atmosferë e frikësimit të dëshmitarëve ishte shqetësim i përbashkët i Kosovës dhe i BE-së dhe u pasqyrua në Shkëmbimin e Letrave, që është marrëveshja ndërkombëtare për zhvillimin e gjykimeve për krimet që përfshihen në mandatin e DHSK-së jashtë Kosovës.
Pikërisht për të njëjtat shqetësime, DHSK-ja i jep prioritet të lartë sigurisë, mbrojtjes dhe mbështetjes së dëshmitarëve. Kjo shpjegon edhe numrin e seancave private dhe të mbyllura, gjatë të cilave ekipet e mbrojtjes vazhdojnë të kenë mundësinë t’i marrin në pyetje dëshmitarët dhe të kundërshtojnë provat e paraqitura. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe e viktimave është vlerë thelbësore e DHSK-së.
Dhomat e Specializuara janë kritikuar për njëanshmëri, padrejtësi dhe shkelje të drejtave të të paraburgosurve. A mendoni ju se procesi deri më tani ka qenë i drejtë, korrekt dhe transparent?
Po, unë konsideroj se Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur.
Por, më konkretisht, dëshiroj të theksoj përsëri se të gjithë të akuzuarit para Dhomave të Specializuara përfaqësohen nga mbrojtës kompetentë dhe profesionistë. Çdo i akuzuar para Dhomave të Specializuara mund t’i apelojë vendimet para një paneli të pavarur të përbërë nga gjykatës të tjerë të Gjykatës së Apelit, Dhomës së Gjykatës Supreme dhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Të akuzuarit po e shfrytëzojnë këtë mundësi. Kjo do të thotë se shumë vendime verifikohen nga panele të ndryshme gjykatësish në faza të ndryshme të proceseve gjyqësore.
Kjo procedurë ankimore pasqyron saktësisht procedurën e ankesave në gjykatat që veprojnë në Kosovë dhe siguron që vendimet e marra në çështjet gjyqësore në DHSK respektojnë të drejtat themelore sipas Kushtetutës.
Sa u përket kritikave në mediat e Kosovës që i përmendët, unë i kam vërejtur dhe i kam marrë shumë seriozisht ato komente kritike.
Gjatë viteve, komentet shpesh herë janë fokusuar në aspekte të përgjithshme, si për shembull ekzistenca e Dhomave të Specializuara ose mandati që iu dha atyre nga autoritetet e Kosovës.
Kritikat shpeshherë janë bazuar edhe në fakte të pasakta. Pasi i kam shqyrtuar dhe analizuar ato raportime me respektin dhe vëmendjen e duhur, shtrohet pyetja se si është e mundur që faktet të interpretohen në mënyrë të pasaktë, duke pasur parasysh informacionin e hapur që është në dispozicion ose që u jepet mediave nga DHSK-ja, dhe i cili mund të verifikohet lehtë.
Për shembull, është deklaruar në mënyrë të rreme se një person nuk mund të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit për më gjatë se një vit.
Kam sqaruar edhe më parë se, sipas rregullave tona, paraburgimi me jo më shumë se një vit është për rastet kur personi ende nuk është akuzuar për krime përmes një aktakuze të konfirmuar. Kurse të gjithë të paraburgosurit që janë aktualisht në Dhomat e Specializuara kanë aktakuza të konfirmuara kundër tyre. Rrjedhimisht, ata mund të mbahen për një kohë më të gjatë në qoftë se ekzistojnë rreziqe të caktuara.
Kam parë gjithashtu pretendime se objekti i paraburgimit nuk monitorohet në mënyrë të pavarur – edhe kjo është thjesht e pavërtetë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq monitoron dhe inspekton objektin e paraburgimit dhe mund të kryejë inspektime të paparalajmëruara.
Sikurse shihet nga këta shembuj, shumë nga këto raportime bazohen thjesht në informacion të rremë.
Në këtë rast konkret, konferenca për media u anulua me rekomandim të Policisë së Kosovës.
Unë erdha në Kosovë për t’iu përgjigjur pyetjeve për Gjykatën, sepse kam bindjen se është e rëndësishme që njerëzit të marrin informacion transparent, të saktë dhe të drejtpërdrejtë për DHSK-në dhe për gjykimet që zhvillohen aty. Gjithashtu, kisha gatishmërinë e sinqertë t’u përgjigjesha pyetjeve të gazetarëve, në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë profesionin e tyre si gazetarë, d.m.th. të informojnë popullin në kohë, në mënyrë saktë dhe objektive.
Përkundër përkushtimit tim të sinqertë për t’u takuar me ta personalisht, unë nuk mund ta bëj këtë në qoftë se rrezikohet siguria e dikujt. Unë nuk toleroj dhunën gjatë një konference për media që ka për qëllim të informojë popullin e Kosovës në mënyrë të hapur për ne. Përpos kësaj, ndoshta duhet të bëjmë pyetjen se si pasqyron kjo atmosferën e frikësimit në Kosovë në lidhje me proceset gjyqësore për krime të pretenduara me të cilat merret DHSK-ja.
Kjo armiqësi, e cila kishte për qëllim të pengonte një takim dhe diskutim paqësor dhe transparent, shpjegon dhe përligj më tej arsyen pse Kosova dhe BE-ja bënë marrëveshje që këto gjykime të kryheshin jashtë Kosovës. Është për të ardhur keq kur shihet mungesë respekti ndaj sundimit të ligjit.
Ju jeni kryetare e një gjykatë që presupozohet që është institucion i drejtësisë, përse gjatë vizitës në Kosovë u shoqëruat me masa të rrepta sigurie nga Policia e Kosovës, derisa keni refuzuar ndihmën e po këtij institucioni, policisë, për të mbikëqyr të paraburgosurit?
Ky aspekt nuk ka të bëjë aspak me mua ose me sigurinë time kur jam në Kosovë.
Çdo gjë brenda një çështjeje gjyqësore para një paneli gjykatësish trajtohet ekskluzivisht nga gjykatësit e panelit kompetent. Kryetari i një gjykate nuk ka asnjë kompetencë në këtë drejtim, dhe Kryetarja e Dhomave të Specializuara nuk përbën përjashtim nga ky parim themelor. Gjykatësit janë plotësisht të pavarur në vendimet e tyre dhe askush nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e tyre.
Ju po u referoheni vendimeve të mëparshme në lidhje me kërkesa për lirim të përkohshëm, për të cilat gjykatësit e një trupi gjykues morën vendime në bazë të vlerësimit nëse ekzistonte rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave të tjera penale. Deri më sot, që të tre gjykatësit kanë arritur në përfundimin se lirimi nuk duhej miratuar, bazuar në vlerësimin e këtyre rreziqeve.
Pse nuk keni besim në Policinë e Kosovës?
I referohem përgjigjes që sapo dhashë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me atë nëse Dhomat e Specializuara kanë besim tek Policia e Kosovës.
Mbi cilat baza po vazhdohet paraburgimi ndaj të akuzuarve?
Arsyetimi, që është publik dhe mund ta lexojnë të gjithë, është i qartë. Deri më sot, paraburgimi është bazuar në vlerësimin se ekziston rreziku i pengimit të procesit dhe rreziku ndaj sigurisë së dëshmitarëve.
Megjithatë, paraburgimi rishikohet çdo dy muaj për të vlerësuar nëse kushtet që e përligjin atë vazhdojnë të ekzistojnë, dhe ende priten vendimet publike të fundit të trupit gjykues në lidhje me këtë.
A do të ketë lehtësira për të paraburgosurit meqë kanë përfunduar dëshmitarët e prokurorisë dhe nuk qëndron arsyetimin se mund të ndikojnë në dëshmitarë?
Këto janë vendime që i merr trupi gjykues në bazë të parashtrimeve të palëve, fakteve të çështjes gjyqësore, dhe në bazë të Ligjit.
A do t’u lejohen vizitat dhe komunikimet me familjarët?
Vizitat private me anëtarë të familjes për të paraburgosurit janë lejuar gjithmonë.
A keni ndonjë informacion se nga rrodhën dokumentet e Dhomave të Specializuara në vitin 2020?
Hetimi në lidhje me shpërndarjen e paligjshme të dokumenteve është përgjegjësi e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe unë si kryetare e DHSK-së nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. DHSK-ja dhe ZPS-ja janë faktikisht dy institucione të pavarura.
Po ashtu, është Prokurorja e Specializuar ajo që vendos se kë do të ndjekë penalisht dhe në bazë të cilave akuza.
Por, mund t’ju kujtoj se Prokurorja e Specializuar tha në një intervistë me Kohën Ditore se ZPS-ja e kishte hetuar gjerësisht këtë incident dhe se vazhdon ta hetojë rastin.
Cili është bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Policinë e Kosovës?
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton se, duke mbajtur parasysh të drejtat e të akuzuarve, të gjitha autoritetet në Kosovë bashkëpunojnë me DHSK-në dhe ZPS-në dhe përmbushin çdo kërkesë për ndihmë ose urdhër ose vendim të lëshuar nga DHSK-ja ose ZPS-ja.
Për shembull, gjatë kryerjes së detyrave tona ne kemi bashkëpunuar me Policinë e Kosovës në të kaluarën dhe i jemi mirënjohës për ndihmën e dhënë.
A ka ndikuar në punën e Dhomave të specializuara ndalja e fondeve nga SHBA-të?
Jo. Buxheti operacional i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar financohet nga Bashkimi Evropian.
Janë kaluar rreth 5 vite që kur Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në burg. Ata janë mbajtur për thuajse dy vite e gjysmë pa u gjykuar, dhe tani gjykimi ka hyrë në vitin e tretë. A mund të na thoni se kur pritet të përfundojë ky proces?
Nuk është e saktë të thuhet se të akuzuarit janë mbajtur gati dy vjet e gjysmë pa gjykim. Që nga arrestimi i të akuzuarve në bazë të fletarrestimeve dhe akuzave të konfirmuara, procesi kundër tyre ishte në fazën e përgatitjes. Kjo fazë, e quajtur faza paraprake, është pjesë e procesit, dhe një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim gjatë kësaj faze përgatitore në qoftë se ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave penale të tjera.
Vlerësimi nëse kohëzgjatja e periudhës së paraburgimit është e arsyeshme duhet të bëhet rast pas rasti, në varësi të rrethanave konkrete.
Por, ajo që dëshiroj të theksoj është se gjatë periudhës që përmendet ju, procesi vazhdonte të kryhej, jo në sallën e gjyqit, por në kuptim të përgatitjes për gjykim, dhe çdo dy muaj janë dhënë vendime të arsyetuara se pse paraburgimi duhej vazhduar.
Sa i takon pyetjes tuaj për përfundimin e gjykimit, është ende herët të parashikohet se kur do të shqiptohet aktgjykimi në këtë çështje gjyqësore. Ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave dhe na duhet të presim për të parë se çfarë do të vendosë trupi gjykues për kërkesën e tyre. Në vijim, në varësi të rezultatit të kërkesës, në qoftë se akuzat nuk hidhen poshtë, pritet që mbrojtësi i viktimave të paraqesë provat dhe argumentet e tij, që do të zgjasin afërsisht një javë.
Pas kësaj, do të shohim se sa kohë vlerësojnë ekipet e mbrojtjes se do t’u duhet për të përgatitur provat dhe argumentet e tyre dhe çfarë afatesh do të caktojë Trupi Gjykues.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ekipet e mbrojtjes, gjykatësit e trupit gjykues fillojnë kuvendimet për aktgjykimin.
Në platformën “LinkedIn”, gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë përfshirë në aktivitete politike. Kryeprokurorja Kimberly West ka pëlqyer një postim fyes kundër presidentit Trump. Prokurorët Silvia D’ Ascoli, Alexandra Insinga, Cezary Michalczuk, Tazneen Shahabudin kanë pëlqyer disa postime ky ofendohet presidenti Trump. Po ashtu, gjyqtarët Mettraux dhe Masselot janë përfshirë në aktivitete politike. Mettraux ka pëlqyer disa postime ku kritikohet presidenti Trump dhe sekretari i mbrojtjes, Hegseth. Gjyqtarja, Masselot, ka pëlqyer një fotografi të presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Po ashtu, shefi i zyrës së mbrojtjes, David Hein ka pëlqyer dhjetëra pëlqime kundër presidentit Trump dhe zyrtarëve tjerë amerikanë. Si e vlerësoni përfshirjen e zyrtarëve tuaj në politikë, vecmas ndaj një shteti i cili është sponsorizues i Dhomave të Specializuara të Kosovës?
Nuk do të komentoj për mendimet që shprehin punonjësit ose gjykatësit për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose punën e tyre në Dhomat e Specializuara. Kodi i Etikës Gjyqësore pranon lirinë e shprehjes të gjykatësve për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose me çështje gjyqësore në të cilat janë caktuar.
Fillimisht ju keni deklaruar se po gjykohen individët dhe jo UÇK-ja. Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët Jack Smith dhe Matt Halling kanë deklaruar krimet e UÇK-së janë çështje qendrore në këtë gjykim, pra po gjykohet UÇK-ja. Pse në publik dhe gjatë seancave gjyqësore ndryshojnë deklarimet?
Nuk mund të flas për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sepse është institucion i pavarur. Megjithatë, pavarësisht nga deklaratat e tyre, Dhomat e Specializuara merren vetëm me hetimin dhe ndjekjen penale të personave në lidhje me pretendime për veprime të paligjshme të tyre, domethënë përgjegjësinë penale individuale të tyre. Pra, Dhomat e Specializuara vënë para përgjegjësisë vetëm individë, jo organizata. Kjo do të thotë se, në qoftë se në sallë të gjyqit përmenden si individë anëtarë të UÇK-së që pretendohet se kanë kryer vepra penale, kjo ka të bëjë vetëm me personat si individë dhe jo me të gjithë organizatën.
Prokurorët Jack Smith, Alex Whiting dhe David Harbach i hetuan krerët e UÇK-së dhe të njëjtët shkuan për të hetuar presidentin Trump. A ka ndërlidhje mes këtyre dy rasteve?
Kjo është pyetje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por unë nuk shoh ndonjë lidhje.
Gjyqtari i Dhomës së Apelit, Kai Ambos ishte gjyqtari i vetëm i cili e la të hapur mundësinë e lirimit me kusht të ish-presidentit Thaçi pas garancive nga vendet e treta, pas kësaj ju e hoqët atë nga paneli, cila ishte arsyeja?
Gjykatësi Ambos nuk u hoq nga paneli siç po thoni ju. Ky rast u trajtua nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se nuk kishte pasur shkelje të të drejtave. Për sqarim, panelet e apelit caktohen për të vendosur mbi një apel konkret dhe, pas shqyrtimit të apelit përkatës, paneli shpërbëhet në bazë të Ligjit dhe jo sepse ashtu vendos unë. Për çdo apel, unë caktoj panel të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj, ndër të cilët edhe disponueshmëria e gjykatësve. Po t’i shikoni parashtrimet publike të paneleve të apelit, do të shihni se gjykatësi Ambos është caktuar në disa prej tyre që nga ajo kohë.
Së fundi, është Ligji ai që përcakton lirimin e mundshëm me kusht. Si gjykatës, ne vetëm zbatojmë Ligjin në rrethanat konkrete të çështjes gjyqësore dhe të personit të paraburgosur.
Si gjykatëse me përvojë ndërkombëtare, a mendoni se praktikat dhe procedurat e zbatuara nga Dhomat e Specializuara do të mund të zbatoheshin në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ligji dhe Rregullorja e Procedurës dhe e Provave të Dhomave të Specializuara janë krijuar për të garantuar standardet më të larta të drejtësisë penale të pasqyruara në instrumentet ligjore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në qoftë se i lexoni vendimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, do të shihni se ajo i zbaton rreptësisht standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kemi vënë re gjithashtu se gjykata dhe tribunalë të tjerë ndërkombëtarë kanë ndjekur disa praktika të Dhomave të Specializuara, që do të thotë se ne kemi shërbyer si shembull për ta.
Së fundmi, kemi parë reagime të shumta nga partitë politike në Kosovë, nga politikanë shqiptarë në rajon, si dhe nga organizata të luftës në Kosovë. Gjithashtu, kanë pasur reagime edhe shumë ish-ushtarë që morën pjesë në luftën e Kosovës, konfliktin në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut. Ata kërkojnë një gjykim të drejtë dhe lirimin e presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij. Si i komentoni këto kërkesa dhe reagime?
Gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë detyrimin të zhvillojnë procese të drejta dhe të paanshme, të pavarura nga ndikime të jashtme
Kuvendi i Kosovës ratifikoi një marrëveshje me BE-në, ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi një ligj për të trajtuar këto krime të pretenduara. Gjykatësit e DHSK-së janë plotësisht të fokusuar në kryerjen e gjykimeve të pavarura, të paanshme, të drejta dhe të sigurta për të gjitha çështjet gjyqësore të paraqitura nga Prokuroria. Gjykatësit kanë integritet të lartë, përvojë dhe reputacion profesional të shkëlqyer, dhe nuk komprometojnë statusin, ndërgjegjen dhe integritetin e tyre si gjykatës.
Ju po zhvilloni takime me diplomatë në Kosovë, dhe nga raportimet dihet se keni pasur takime të tilla edhe së bashku me Kryeprokuroren West me diplomatë në qendra të tjera. Pse një gjykatë që konsiderohet e pavarur duhet t’u raportojë diplomatëve?
Ashtu si në tribunalë të tjerë që merren me krime lufte, Kryetarja dhe Administratorja e DHSK-së takohen me palë të interesit, si shtetet kontribuese dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së që financojnë Gjykatën, për t’i informuar për zhvillimet në proceset gjyqësore. Këto procedura dhe takime përfshihen edhe në raportet vjetore të DHSK-së.
Kjo ka për qëllim dhënien e informacionit bazë lidhur me proceset publike, i ngjashëm me informacionin që u jepet gazetarëve dhe shoqërisë civile në Kosovë.
Ndodh që unë të shkoj në aktivitete ku është e pranishme edhe Prokurorja, por në raste të tjera jam paraqitur edhe bashkë me avokatë mbrojtës.
Megjithatë, gjykatësit janë plotësisht të pavarur në kryerjen e detyrave të tyre gjyqësore dhe nuk janë pre e asnjë ndikimi jashtë proceseve gjyqësore.