Tre persona janë plagosur me armë zjarri sot në lagjen “Veternik” të Prishtinës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo tha se të plagosurit janë dërguar në QKUK, për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 06:30, është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen Veterniku në Prishtinë.Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti.
Tutje Ahmeti ka thënë se Policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


