Më shumë se 800 njerëz në të gjitha Shtetet e Bashkuara janë akuzuar për trazirat e 6 janarit, 2021, në Kongresin amerikan, që kanë lënë së paku katër të vdekur dhe disa të plagosur dhe kanë detyruar ligjvënësit të fshihen për orë të tëra.
Akuzat kundër mbështetësve të zemëruar të ish-presidentit Donald Trump variojnë nga kundërvajtjet e nivelit të ulët për ata që vetëm kanë hyrë në Kongres, deri tek akuzat për konspiracion për kryengritje për ekstremistët e djathtë.
Kjo është ndjekja më e madhe penale në historinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë, udhëheqësi i të cilit, prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, është zotuar se do t’i mbajë përgjegjës “të gjithë autorët e 6 janarit, në çdo nivel”.
Në kohën kur Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, që heton sulmet e 6 janarit, po përgatitet të mbajë një seri seancash dëgjimore, agjencia e lajmeve AP ka bërë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur deri më tash:
Kush është akuzuar?
Autoritetet kanë arrestuar njerëz praktikisht në të 50 shtetet, në lidhje me trazirat. Ata përfshijnë ish-oficerë të policisë dhe veteranë të ushtrisë amerikane, një fitues të medaljeve olimpike dhe djalin e një gjyqtari të qytetit të Nju Jorkut.
Qindra njerëz që kanë hyrë brenda Kongresit, por nuk kanë marrë pjesë në shkatërrime apo dhunë, përballen vetëm me akuza për kundërvajtje, si: hyrje e paligjshme në Kongres, protestë dhe sjellje e çrregullt – vepra këto që mund të dënohen me burgim deri në një vit.
Më shumë se 250 persona janë akuzuar për sulm ose pengim të autoriteteve në zbatimin e ligjit. Prej tyre, më shumë se 85 akuzohen për përdorimin e armëve vdekjeprurëse ose të rrezikshme, ose për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore të një oficeri.
Të tjerë janë akuzuar për sulme ndaj pjesëtarëve të mediave ose për shkatërrimin e pajisjeve mediatike.
Akuzat më të rënda janë ngritur kundër anëtarëve të dy grupeve të djathta ekstremiste: “Oath Keepers” (Mbrojtësit e betimit) dhe “Proud Boys” (Djemtë krenarë).
Udhëheqësit e të dyja grupeve janë arrestuar dhe mbeten në burg, në pritje të gjykimit për komplot për kryengritje, përkatësisht komplot për të kundërshtuar me forcë transferimin e ligjshëm të pushtetit presidencial. Akuza e tillë mund të sjellë deri në njëzet vjet burgim.
Kush është dënuar?
Më shumë se 300 njerëz janë deklaruar fajtorë për një sërë krimesh, përfshirë konspiracionin dhe sulmet. Në mesin e tyre janë tre anëtarë të grupit “Oath Keepers”, të cilët kanë pranuar se kanë bërë konspiracion për rebelim. Ata janë duke bashkëpunuar me hetuesit dhe mund të dëshmojnë kundër kolegëve të tyre ekstremistë në gjyq.
Deri më tash janë zhvilluar shtatë gjykime në Gjykatën Federale të Qarkut të Kolumbisë. Në pesë të parat, të pandehurit janë dënuar për të gjitha akuzat.
Të dënuarit përfshijnë Thomas Websterin, veteran i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, i cili ka sulmuar një oficer gjatë trazirave. Ëebster ka pretenduar se ka qenë duke u mbrojtur derisa ka goditur oficerin dhe ia ka rrëmbyer maskën e gazit.
Gjykatësit, gjithashtu, kanë hedhur poshtë pretendimet e një burri nga Ohajo, i cili ka thënë se “ka ndjekur urdhrat presidenciale” nga ish-presidenti Donald Trump, kur ka sulmuar Kongresin. Dustin Byron Thompson është dënuar për pengimin e punës së Kongresit në certifikimin e votave elektorale, si dhe për akuza të tjera.
Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Trevor McFadden, i cili është emëruar nga Trump, ka dënuar komisionarin e qarkut Otero në Nju Meksiko, Couy Griffin, për hyrje të paligjshme në ambientet e Kongresit, por e ka liruar nga akuza për sjellje të çrregullt.
Po ndëshkimet?
Rreth 200 persona janë ndëshkuar deri më tani. Ndëshkimet variojnë nga dënimi me kusht deri në më shumë se pesë vjet prapa hekurave.
Rreth 100 persona, të akuzuar për krime të nivelit më të ulët, i janë shmangur burgut, megjithëse disa prej tyre kanë kaluar nëpër arrest shtëpiak.
Ndëshkimi më i gjatë – më shumë se pesë vjet burgim – i është shqiptuar Robert Palmerit, nga Largo i Floridës, i cili ka gjuajtur një dërrasë dhe ka përdorur pompat për zjarrfikje kundër oficerëve.
Të tjerët që kanë marrë dënime të gjata, përfshijnë Jacob Chansleyn. Ai është dënuar me gati tre vjet e gjysmë burgim, pasi ka pranuar se ka hyrë në Dhomën e Senatit dhe se i ka lënë një shënim nënpresidentit të atëhershëm amerikan, Mike Pence, duke i thënë: “Është vetëm çështje kohe, drejtësia po vjen”.
Çka tash?
Dy gjyqet e profilit më të lartë – që përfshijnë anëtarë të “Oath Keepers” dhe “Proud Boys” – pritet të zhvillohen këtë verë dhe vjeshtë.
Henry “Enrique” Tarrio, i cili dikur ka qenë shefi kryesor i “Proud Boys”, dhe katër të tjerë të lidhur me grupin janë akuzuar të hënën për konspiracion për rebelim. Më herët, kundër tyre janë ngritur edhe akuza të tjera për konspiracion. Ata pritet të dalin para gjyqit nga 9 gushti.
Tarrio, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si kryetar grupi, është arrestuar në një rast tjetër, dy ditë para trazirave, dhe nuk ka qenë në Kongres më 6 janar. Por, ai akuzohet se ka ndihmuar organizimin e sulmit të dhunshëm.
Gjyqi për udhëheqësin e “Oath Keepers”, Steëart Rhodes, dhe katër anëtarë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të grupit është planifikuar të fillojë më 26 shtator. Prokurorët thonë se “Oath Keepers” kanë bërë komplot për javë të tëra, në përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, dhe se janë përgatitur për një rrethim duke blerë armë.
Autoritetet janë ende në kërkim të shumë të dyshuarve tjerë, përfshirë personin që ka vendosur dy bomba me tym jashtë zyrave të komiteteve kombëtare të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, një natë përpara trazirave./REL/