Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin e “Atlantic Council 2026 Balkans Forward Fellows”, me të cilët ka biseduar për partneritetin që po thellohet në ekonomi, siguri dhe mbrojtje.
Kryeministri Kurti tha se aleanca dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara është i veçantë dhe i palëkundur dhe se do të vazhdojnë ta forcojnë, mbi bazën e vlerave dhe orientimeve të përbashkëta.
“Gjatë mandatit të kaluar, kemi investuar afër gjysmë miliard euro vetëm në sisteme të armatimit, duke arritur një nivel të paprecedentë të partneritetit në fushën e mbrojtjes. Pjesa kryesore e prokurimeve është realizuar përmes programeve Foreign Military Sales (FMS) dhe Direct Commercial Sales (DCS)”, tha kryeministri Kurti.
Qeveria dhe Kuvendi kanë miratuar gjithashtu dislokimin e një kontingjenti të FSK-së si pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.
Në njoftim po ashtu thuhet se kryeministri Kurti në takim ngriti edhe çështjen e zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok dhe përsëri u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion më të madh ndaj Serbisë për deklasifikimin e dosjeve ushtarake të arkivuara dhe ofrimin e informacioneve lidhur me këto varreza.

