Draft-ligji vjetor i mbrojtjes i Senatit pritet ta shtojë Kosovën në listën e vendeve që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.
E pas këtij vendimi ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, e cila ka thënë se kjo është dëshmia se partneriteti i Kosovës me SHBA nuk lëkundet, ndërsa ka ironizuar me kritikët që flasin për prishje të raporteve.
“Shpresoj që ky vendim i SHBA-së të mos ketë dëshpëruar thellë dyshuesit skeptikë pushtet-varur, por partneriteti i Kosovës me SHBA nuk lëkundet. SHBA dhe Kosova do të zhvillojnë ushtrime ushtarake të përbashkëta, në shërbim të fuqizimit të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon.
Vendimi i Senatit amerikan për ta ftuar edhe Kosovën në listën e vendeve me të cilat ushtria më e fuqishme në botë, ajo e SHBA-ve, bashkë me NATO-n, do të zhvillojnë ushtrime të përbashkëta ushtarake, është edhe një tjetër fakt se; SHBA-të i qëndrojnë afër Kosovës në të gjitha rrafshet”, ka shkruar deputetja Statovci në rrjetin social.
Ajo ka shtuar se përkushtimi i Kosovës për demokraci, paqe e stabilitet, është shkollë e marrë më së shumti nga SHBA dhe se vlerat tona të tolerancës, bashkëjetesës, lirisë dhe barazisë, ndahen me ato të SHBA-së, duke krijuar kështu një partneritet të pa cenueshëm, besnik dhe vizionar.


