Ish-kryeministri britanik ka hartuar plan për përfundimin e luftës dhe administrimin e përkohshëm të Gazës nën mbikëqyrjen e OKB-së
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, po synon të marrë drejtimin e Gazës pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Ai ka përgatitur një plan të detajuar për menaxhimin e periudhës së pasluftës, përmes “Institutit Tony Blair (TBI)”.
Sipas mediave ndërkombëtare, një nga idetë kryesore të planit është zbatimi i modelit të administrimit ndërkombëtar të përdorur në Kosovë pas vitit 1999, ku pushteti u kalua gradualisht te institucionet vendore.
“The Telegraph” raporton se Blair është ofruar të udhëheqë një qeveri të përkohshme në Gaza, nën kushtin që pushteti më pas t’i dorëzohet Autoritetit Palestinez. Ish-kryeministri britanik gëzon përkrahjen e disa figurave të fuqishme, si Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të cilët kanë diskutuar planin me Donald Trump në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht.
Sipas burimeve të “The Economist”, Blair ka shprehur gatishmëri “ta sakrifikojë kohën e tij” për t’i dhënë fund luftës dhe për të menaxhuar tranzicionin në Gaza.
Trump e ka mbështetur planin dhe e ka prezantuar atë para liderëve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë shteteve arabe në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Ai ka deklaruar se “ndoshta mund t’i japim fund luftës qysh tash”.
Blair më herët ka qenë emisar special i Kuartetit për Lindjen e Mesme (OKB, SHBA, BE dhe Rusi), që ndërmjetëson procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.
Plani i tij parashikon krijimin e “Autoritetit Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën” (GITA), një trupë e përkohshme nën mbikëqyrjen e OKB-së, që do të udhëhiqte Gazën për disa vite deri në transferimin e pushtetit te Autoriteti Palestinez.
GITA do të funksiononte si “autoritet suprem politik dhe ligjor” gjatë tranzicionit dhe do të përfshinte përfaqësues palestinezë, zyrtarë të OKB-së dhe ekspertë ndërkombëtarë me përvojë në ekonomi dhe qeverisje, me përfaqësim të fuqishëm nga shtetet myslimane.
Trump i ka dhënë Blairit dy javë kohë për të siguruar mbështetje rajonale, kryesisht nga Arabia Saudite, e cila kërkon që çdo plan paslufte të çojë në krijimin e një shteti palestinez – kërkesë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar.
Sipas “The Economist”, struktura e GITA-s do të bazohet në modelet e administratave ndërkombëtare të përdorura në Timorin Lindor dhe Kosovë gjatë periudhave të tranzicionit drejt shtetësisë së plotë.
Blair, që ishte kryeministër i Britanisë gjatë luftës në Kosovë, konsiderohet një prej mbështetësve më të fuqishëm të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe për të ndalur spastrimin etnik. Ai e ka vizituar disa herë Kosovën pas luftës.


