Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se për herë të parë tetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të ushqimit dhe pijeve “Gulfood 2024”, një prej panaireve më të mëdha në botë , në industrinë e pijeve dhe ushqimit me mbi 5,500 ekspozues që shfaqin qindra mijëra produkte të shpërndara në 24 salla të mëdha.
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka siguruar hapësirën ekspozuese prej 66 m2 për kompanitë tona që të promovojnë produktet e tyre në këtë panair.
Kompanitë: “Frutti”, “Minex”, “Eurofood”, “Camel”, “VitaFood”, “Frutex”, “Ananasi Impex”, dhe “Emona”, po ekspozojnë dhe promovojnë produktet e tyre para blerësve dhe vizitorëve nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse si dhe po zhvillojnë kontakte me partnerët potencial në panair për gjetjen e tregjeve të reja eksportuese.
Në njoftim thuhet se shtandi i Kosovës të hënën është vizituar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe z. Xhabir Hamiti.


