Ndeshja e basketbollit 3×3 mes Kosovës dhe Serbisë, e planifikuar të zhvillohej të shtunën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, nuk do të zhvillohet. Arsyeja është tërheqja e Serbisë nga gara e basketbollit 3×3 në këto Lojëra Mesdhetare.
Lajmi për tërheqjen është bërë i ditur më herët, ndërsa ndryshimi i orarit të garave ka konfirmuar anulimin e përballjes Kosovë–Serbi.
Kosova dhe Serbia ishin shortuar në Grupin C, së bashku me Turqinë dhe Portugalinë. Fillimisht, Kosova ishte paraparë të përballej me Serbinë më 29 gusht.
Pas tërheqjes së Serbisë, në Grupin C kanë mbetur Kosova, Portugalia dhe Turqia.
Kosova në konkurrencën e meshkujve do ta nisë garën të shtunën ndaj Portugalisë, ndërsa të dielën do të përballet me Turqinë.
Dy skuadrat e para të grupit do të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale.
Kosova në Taranto përfaqësohet nga Adhurim Alijaj, Eliot Peci, Ardian Ibishi dhe Mal Tusuni, ndërsa trajner i ekipit është Qëndrim Demi.

