Të shtëna me armë janë raportuar mbrëmjen e sotme në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.
Sipas informacioneve fillestare, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat po merren me rastin dhe kanë rrethuar zonën.
Burime bëjnë të ditur se nga ky rast dyshohet për një person të vrarë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet për bilancin e plotë të ngjarjes.
Personi i plagosur, sipas burimeve të afërta me hetimin, njihet me nofkën “Plaku”. I njëjti dyshohet se ka pësuar plagë të rënda trupore, të cilat në fazën fillestare po konsiderohen me rrezik serioz për jetën.
Rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë bërë publike, ndërsa njësitet policore dhe hetuesit po zhvillojnë veprime intensive hetimore në vendin e ngjarjes.
Motivet e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që gjatë orëve në vazhdim organet kompetente të japin më shumë detaje./Sinjali/


