Të paktën 120 persona kanë vdekur, ndërsa kërkimet për më shumë se 170 persona të zhdukur janë ende duke vazhduar.
Dhjetëra të tjerë janë të zhdukur në pjesë të tjera të shtetit ndërkohë që autoritetet kanë thënë të mërkurën se numri i të vdekurve ka shkuar në 120 persona, raporton CNN.
Zyrtarët lokalë po vazhdojnë reagimin e tyre ndaj përmbytjeve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një deklaratë federale për fatkeqësi natyrore që i lejon Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të dërgojë ekipet e saj për të mbështetur përpjekjet lokale të shpëtimit dhe rimëkëmbjes, ndërsa këto operacione vazhdojnë.
Zyrtarët thanë se stuhitë e vazhdueshme i kanë bërë këto përpjekje veçanërisht të vështira, por parashikimet e Shërbimit Kombëtar të Motit tregojnë se kushtet do të fillojnë të lehtësohen.
Një analizë e CBS News thekson se Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar 22 paralajmërime për Qarkun Kerr në lidhje me stuhitë dhe përmbytjet e menjëhershme.
Disa banorë vendas thanë se nuk morën paralajmërime emergjente në telefonat e tyre, as nuk e kuptonin se sa serioze ishte bërë situata.