Shefat e Shtabeve të mbrojtjes nga Kosova, Shqipëria e Kroacia kanë mbajtur takimin trepalësh. Për takimin që u mbajt në Shqipëri FSK-ja thotë se shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Gjeneral Jashari, Gjeneral Kingji dhe Gjeneral Kundid zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike”, thotë Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sipas tyre, takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon.
“Po ashtu ky takim potencoi gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik”.
FSK thotë se kjo iniciativë trepalëshe përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.


