Vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut që organizohet nga ndërmjetësit e BE-së, të premten i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar do të jetë në Prishtinë për t’u takuar me krerët e shtetit.
Emisari amerikan do të jetë në Prishtinë, pas vizitës që zhvilloi në Beograd në përpjekje që takimi i 18 marsit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet plani i zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve të jetë i suksesshëm.
Ardhjen e Escobarit në vendin tonë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Takimi do të mbahet të premten”, ka deklaruar shkurt Kryeziu.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan po zhvillohet në prag të rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
ShBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet Propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.
Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.
Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Ndryshe, në Propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.


