Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më shpejt, në mënyrë që procesi i dialogut të mbyllet.
Ai deklaroi të hënën para mediave se ka rrezik që Serbia ta mbajë Kosovën të bllokuar, duke e paraqitur si palë që bënë probleme.
Tahiri u shpreh se AAK-ja s’ka informacion për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do ta zhvillojnë në Bruksel.
“Ne mendojmë që koha kur takimet kanë ndodhë për një fotografi duhet të kalojë. Marrëveshja duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme. Njëherë e përgjithmonë me i dhanë fund kësaj. Marrëveshja është finale, është marrëveshje kontraktuale dhe është marrëveshje qe i hap rrugën Kosovës. Rreziku potencial i Kosovës është që Serbia të vazhdojë të mbajë Kosovën në një konflikt të ngrirë duke e paraqitur si një palë jokonstruktive dhe që bënë telashe”, tha Tahiri.


