Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik, duke thënë se me këtë vendim nuk mund të mbulohen, sipas tij, dështimet në ekonomi.
“Rritja’ e paralajmëruar e pagave nga qeveria në shkuarje, nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës. Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Tahiri ka përmendur rastin e ngritjes së pagave kur në krye të financave shtetërore ishte Bedri Hamza.
“Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe ministër financash, ne pak muaj kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore”, ka shkruar ai.


