Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka vlerësuar se me refuzimin e katër amendamenteve të tij për Projektligjin për zyrtarë publikë, janë shuar shpresat e zyrtarëve publikë për meritokraci e karrierë profesionale.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka shkruar se amandamentet e propozuara nga ai në Komisionin për administratë publike, janë refuzuar nga Qeveria.
Sipas tij kjo është goditja më e madhe për zyrtarët publikë në administratën shtetërore, e cila ka thënë se atyre ua humbë shpresën për meritokraci dhe karrierë profesionale.
“Propozimet ishin konkrete: Nenet 44 dhe 46 për procedurat e emërimit të nëpunësve të ulët dhe të mesëm drejtues, propozoj të rishkruhen tërësisht dhe të kthehet rregullimi siç është tani në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Pra, të kthehet sistemi i karrierës, lëvizjes brenda kategorisë dhe ngritjes në detyrë siç është tek neni 38 dhe 39 i ligjit aktual në fuqi”, ka shrkuar Tahiri.
Ai ka thënë se ka propozuar që edhe te rekrutimi i pozitave të nivelit të lartë drejtues, te neni 47, lista fituese të përbehet nga tre kandidatë që kanë fituar më së shumti vota nga pragu prej 70%, por jo të gjithë kandidatët mbi 70%.
“Përzgjedhja në parim të bëhet e kandidatit që ka fituar më së shumti vota, e nëse përzgjidhet kandidati i dytë ose i tretë, të kërkohet arsyetimi me shkrim, me qëllim të sigurimit të parimit të meritokracisë”, ka shkruar Tahiri.
Ai gjithashtu ka thënë se ka propozuar që vlera e koeficienti të pagës në ligjin për paga, të jetë 129 euro.
“Ndërsa, te Ligji i Pagave propozova që tek neni 9 i projektligjit të shtohet një paragraf i ri, 9.3 vlera e koeficientit të jetë 129 euro. Varësisht nga lëvizjet buxhetore për vitet e ardhshme vlera e koeficientit të rritet”, ka shkruar Tahiri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ditë më parë ka prezantuar në Kuvend, Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Ai tha se ky projektligj është pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të kësaj shoqërie.
Ministri tha se është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën dhe ky projektligj do ta mundësojë këtë përmes procedurave të rekrutimit të cilat do të bëhen përmes konkurseve të hapura.
“Me aprovimin e këtij ligji të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të jenë pjesë e administratës publike nëse i përmbushin kriteret përmes një procesi që garanton meritokraci. Kjo garancë bëhet e mundur për shkak se procesi më i ndjeshëm, ai i rekrutimit parashihet të bëhet përmes dixhitalizimit si metodë që siguron transparencë, meritokraci dhe efektivitet”, shtoi ai.
Nisma e Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e një ligji për reformën e administratës shtetërore deri tani ka marrë përkrahje nga një pjesë e shoqërisë, kurse një pjesë tjetër, sidomos ajo e opozitës e ka kritikuar.
Projektligjin për zyrtarë publikë ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe tani është në pritje për lexim të dytë dhe pastaj hyn në fuqi.
Sido qoftë nisma për Reformë në Administratës Publike (RAP) është një proces dinamik që synon rritjen e kapaciteteve të saj për ofrimin e shërbimeve më të mira publike dhe me ligjin e ri Qeveria po synon që të sigurohen emërime të bazuara në merita në të gjithë administratën publike përmes procedurave transparente dhe mekanizmave të monitorimit, raporton KosovaNews.
Lexo më shumë në linkun më poshtë: