Dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, tri herë fitues i La Ligas, një herë fitues i Kupës së Mbretit, dy herë fitues i Superkupës spanjolle dhe një herë i Superkupës angleze. Një herë fitues i elitës së futbollit brazilian dhe një herë fitues i Kupës së Brazilit.
Ky është numri i trofeve të fituar si lojtar nga Sylvinho, ish-mbrojtësi i krahut të majtë. Suksese madhore vazhdon të ketë edhe si trajner. “Mrekullia” e parë për Sylvinhon si drejtues erdhi të premten mbrëma, ka shkruar gazeta e madhe spanjolle “AS”.
Suksesi i fundit i Sylvio Mendes Campos Junior, Sylvinho, ishte kualifikimi i Shqipërisë në Kampionatin Evropian.
Ekipi i “shqiponjave” do të jetë në Evropian për herën e dytë, pasi për herë të parë ishte kualifikuar në vitin 2016. Kundërshtarët e radhës do t’i mësojë më 2 dhjetor, në shortin që tërhiqet në Hamburg.
Për punën e madhe të brazilianit Sylvinho ka folur drejtori i skautingut te Shqipëria, Alarico Marco Rossi.
Sylvinho debutoi në krye të Shqipërisë me humbjen 1:0 nga Polonia. Por më pas Shqipëria mposhti Moldavinë 2:0 dhe Ishujt Faroe 3:1, barazoi me Republikën e Çekisë 1:1 dhe fitoi ndaj Polonisë 2:0 e ndaj Republikës së Çekisë 3:0. Kualifikimin e siguroi me barazimin 1:1 në udhëtim te Moldavia. Edhe një tjetër ndeshje do ta ketë më 20 nëntor, në “Air Albania” kundër Ishujve Faroe.
“Ai nisi të luante me 4-3-3 dhe e ndryshoi në 4-2-3-1. Ai është shumë i fokusuar në punën individuale të secilit lojtar në fushë dhe mënyrën se si ndryshon sistemi i lojës. Në një ndeshje ne mund të luajmë me formacionin 5-4-1, 5-3-2, 4-3-3 dhe 4-2-4, pa bërë zëvendësime, sepse ajo që kërkohet nga lojtarët bëhet në mënyrë të përkryer në secilin moment të ndeshjes, në secilën situatë. Secila ndeshje përgatitet shumë mirë, sidomos në aspektin defensiv, por edhe në atë ofensiv. Ai nuk është trajner defensiv. Ai është trajner që dëshiron ta ketë topin”, thotë Rossi.
Braziliani në staf e ka Pablo Zabaletan, ish-lojtar i Cityt dhe Espanyolit, dhe brazilianin tjetër, Doriva, ish-lojtar i Celtas. Dorival Guidoni Junior si lojtar ka luajtur në qendër të mesfushës dhe i kushton vëmendje të madhe aspektit defensiv dhe ndërtimit të aksionit me top.
“Ka shumë balancim dhe sakrificë. Ekipi është shumë i disiplinuar. Sakrifica e lojtarëve është shumë e rëndësishme, por ata luajnë me shumë zemër dhe rezultatet janë të rëndësishme”, shton tutje Rossi në analizën për kualifikimin historik.
Analisti italian thotë se Sylvinhos dhe stafit të tij u ka ndihmuar edhe puna me trajnerë të klasës botërore, në kohën sa ishin lojtarë.
“Ai është trajner i jashtëzakonshëm. Shumë detajist. Ai ka punuar me Guardiolën, Wengerin, Mancinin, Rijkaardin. Ishte lojtar që e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve. Doriva ka punuar me Tele Santanan. Sylvinho ka punuar edhe me Carlos Alberto Parreiran dhe Mario Zagallon në Brazil. Zabaleta ka punuar me Guardiolën, Pellegrinin e Mancinin. Ka luajtur edhe nën drejtimin e Maradonas tek Argjentina. Është një përzierje e përkryer e stafit”, thotë Rossi.
Të gjithë së bashku kanë 31 trofe të fituar me klube në Evropë dhe në Amerikën e Jugut.
Rossi ka treguar edhe për jetën e Sylvinhos.
“Ai dhe Doriva vijnë në zyrë çdo ditë në orën nëntë dhe nuk largohen derisa të kenë përfunduar punën. Rri në Tiranë. Është person fantastik, me zemër të madhe dhe punëtor i jashtëzakonshëm. Zabaleta është shumë i mirë në aspektin taktik. Sylvinho flet katër gjuhë dhe në takimet tona mund të fliten pesë gjuhë të ndryshme. Ai flet gjuhën portugeze, italiane, spanjolle dhe angleze, ndërsa ne mund të flasim edhe shqip. Kështu që gjuha nuk është problem”, ka deklaruar Rossi.
Shqipëria siguroi kualifikimin me 14 pikë nga shtatë ndeshje. Ka shënuar 12 gola dhe ka pranuar katër. Ka dy pikë më shumë se Republika e Çekisë, tri më shumë se Polonia që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Moldavia ka 10 pikë, kurse Ishujt Faroe në vendin e fundit kanë një pikë.