Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e ka quajtur skandal faktin që kompania regjionale “Pastrimi”, ka blerë kontejnerë të prodhuar në Serbi.
Ai të hënën, në KTV ka thënë se e dënojnë këtë akt se për këtë kanë kërkuar përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës.
Sveçla ka theksuar se për këtë kanë marr një përgjigje gjysmake nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, por që sipas tij ata kanë marr përgjegjësi për këtë.
“Çdo ditë po bëhen fushata për atë të bojkotuar prodhimet serbe, ndërkohë që një institucion, një organizatë siç është kompania Regjionale ‘Pastrimi’ ka bërë një veprim që është i papëlqyeshëm siç është blerja e kontejnerëve të cilët janë të prodhuar në Serbi”, është shprehur Sveçla.
Ai ka folur edhe për mosshpenzimin e buxhetit. Sipas tij për 9 muajt e parë të këtij vitit, Prishtina është komuna ndër komunat me investimet kapitale më të ulëta. “Ka pasur hapësirë që investimet kapitale të jetë në nivel më të mirë sesa që janë tani”, ka theksuar Sveçla.