Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.
Shkalla e dënimit do të shpallet pas seancës së caktuar për 8 shtator. Në atë seancë, sipas Gjykatës do të mbahet seanca ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërkaq gjykata mori aktgjykim refuzues për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.
Sveçla sot mungoi në seancë.
Gjatë procesit, Prokuroria ka renditur prova që sipas saj dëshmojnë kryerjen e veprës penale nga Sveçla. Në një incizim shihet kur Sveçla e aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Deputetët e Vetëvendosjes dhe të opozitës së asaj kohe hidhnin gazlotsjellës në Kuvend duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Çka parasheh Kodi Penal për këtë vepër:
Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm
- Kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
- Kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) Euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

