Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për caktimin e një mase të përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla ka reaguar pas vendimit të Supremes, duke shkruar se rregullorja i jep ekskluzivitet ndërmarrjes “Pastrimi” për procesin e mbledhjes së mbeturinave.
“Gjykata Supreme, me Aktgjykim të formës së prerë, ka vendosur që Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave është e plotfuqishme dhe në zbatim. Kjo Rregullore, ndër të tjera, i jep ekskluzivitet ndërmarrjes “Pastrimi” për procesin e mbledhjes së mbeturinave. Pra, vetëm “Pastrimi”, askush tjetër”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka pohuar se “Përparim Rama, në mënyrë të jashtëligjshme, pa asnjë bazë ligjore, e në kundërshtim të hapur me Rregulloren, ka nënshkruar kontrata me operatorë privatë”.
“Përparimi ka vendosur krye në vete, pa u mbështetur në asnjë ligj apo akt zyrtar, se cilat kompani private do të paguhen me taksat e qytetarëve të Prishtinës. Nëse ky vend ka një prokuror që ka vullnet dhe guxim për të vepruar drejt, nesër në ora 08:00 të mëngjesit duhet ta ftojë kryetarin e Prishtinës në zyrën e tij”, ka theksuar Sveçla.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se nuk ekziston bazë ligjore për ndalimin e prodhimit të efekteve juridike të kësaj rregulloreje, duke sqaruar se pezullimi i një akti nënligjor nuk mund të bëhet pa një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij.
Kjo nënkupton se pretendimi i Komunës për ndërprerjen e efekteve juridike deri në një vendim përfundimtar është hedhur poshtë.