Lidhur me barrikadat në veri, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ministri ka thënë se Goran Rakic, në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.
“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet, ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave”, ka thënë Sveçla.
Sipas ministrit, nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale, prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.
“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim” ka theksuar ministri.
Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij./KosovaNews


