Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar Rregulloren nr.1450/1, të datës 8 gusht 2024, e cila lidhej me organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ndërmarrjen Publike “Termokos” Sh.A.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesëpadisë së paditëses A.U.-F. kundër NP “Termokos”, ndërsa seanca gjyqësore është mbajtur më 12 nëntor 2025, në praninë e palëve ndërgjyqëse.
Sipas Gjykatës, rregullorja është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe plotësim-ndryshimet e tij. Gjatë shqyrtimit, Kolegji i Supreme-s ka analizuar bazën ligjore, përmbajtjen, formën dhe procedurën e ndjekur për miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij akti nënligjor.
Nga provat dhe dokumentet e administruara, Gjykata ka konstatuar se rregullorja është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”-it, i cili – sipas ligjit – nuk është person i autorizuar për miratimin e akteve nënligjore normative që rregullojnë organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në ndërmarrjet publike.
Në vendim theksohet se akti është nxjerrë pa kompetencë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, ndërsa padia e paditëses është vlerësuar e bazuar në ligj.
Vendimi i plotë i Gjykatës Supreme është publikuar në faqen zyrtare të institucionit.


