Pesë kamionë dhe dy automjete me ndihma humanitare të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë sulmuar të martën, derisa po transportonin materiale mjekësore në Gaza.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka deklaruar se është “thellësisht i shqetësuar” që karvani i tij humanitar me pesë kamionë dhe dy automjete të KNKK-së që transportonin furnizime mjekësore për në objektet shëndetësore në qytetin e Gazës u sulmua.
Sipas Komitetit dy kamionë janë dëmtuar dhe një shofer është plagosur nga sulmi izraelit. “Këto nuk janë kushtet në të cilat personeli humanitar mund të punojë”, ka thënë William Schomburg, kreu i delegacionit të KNKK-së në Gaza.
“Ne jemi këtu për të sjellë ndihmë urgjente për civilët në nevojë. Garantimi që ndihma jetike mund të arrijë te objektet mjekësore është një detyrim ligjor sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka shtuar Schoumburg.


