Një veturë e Policisë së Kosovës është penguar dhe sulmuar nga protestuesit me mjete të forta në komunën e Zveçanit.
Sulmi ka ndodhur të hënën në Zveçan nga protestuesit serbë, derisa një veturë po pantrullonte.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se vetura zyrtare është penguar dhe sulmuar me mjete të forta nga protestuesit.
“Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveqanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit. Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Pak më parë është raportruar se një makinë e policisë ka mbetur për disa çaste e bllokuar në mes të turmës së protestuesve në Zveçan, por që është mohuar nga zyrtarët policor.
Nuk dihet nëse rasti që tani konfirmohet nga zëdhënësi Baki Kelai ka të bëjë për ndonjë veturë tjetër nga ajo që u mohuan me parë nga zyrtarët policor.


