Sot, zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan u sulmuan me granatë dore gjatë orëve të para të mëngjesit, duke shkaktuar dëme materiale.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, reagoi ndaj këtij akti përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e dënuar sulmin dhe duke theksuar se qëllimi i tij ishte krijimi i ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët dhe prishja e normalitetit në atë zonë.
Ajo theksoi se sulme të tilla janë manifestim i pamundësisë së grupeve kriminale për të kontrolluar territorin dhe terrorizuar qytetarët.
Ministrja Rizvanolli siguroi se Posta e Kosovës do të riparojë dëmet dhe do të rifillojë punën më së largu nesër, ndërsa Policia e Kosovës po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit.
Ajo shprehu shpresën që sistemi gjyqësor do të jetë më i vendosur në dhënien e dënimeve të merituara për kriminelët, duke theksuar se drejtësia është mënyra e vetme për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla.


