Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur procedurën për ndërtimin e stadiumit të ri në qytetin e Suharekës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri Hajrullah Çeku, i cili ka njoftuar se për këtë projekt janë ndarë 13 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Sipas Çekut, stadiumi i ri do të jetë i kategorisë 2 dhe do të ketë një kapacitet prej 6,518 ulësesh. Objekti sportiv do të ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke ofruar kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
“Një tjetër projekt i madh për infrastrukturën sportive po bëhet realitet,” ka deklaruar ministri Çeku, duke shtuar se menjëherë pas përzgjedhjes së operatorit do të fillojë edhe realizimi i punimeve.





