Një medikament që zakonisht përdoret për të trajtuar kolesterolin në gjak mund të përdoret për të trajtuar edhe pacientët me kancer të prostatës të cilët nuk reagojnë ndaj terapive hormonale, kanë zbuluar shkencëtarët, raporton “The Independent”.
Një testim klinik me 12 pjesëmarrës ka zbuluar se statinat ngadalësojnë rritjen e tumorit, kur jepen përkrah tretmanit që redukton nivelet hormonale.
Hulumtimi, i bërë nga Qendra për Kancer në Skoci, është mirëpritur nga ish-ushtari, John Culling (64), që është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës.
Indikacionet e para të tij ishin se duhej të dilte në tualet gjatë natës.
“Nuk isha shumë i shqetësuar. Duhej të dilja vetëm një herë gjatë natës, por më herët nuk më ndodhte kjo, kështu që vendosa të bëja një kontroll. Diagnoza ishte shokuese. Isha 60-vjeçar, por isha në ushtri gjithë jetën dhe isha fit”, tha Culling.
Culling kishte marrë kemoterapi, radioterapi dhe terapi hormonale, që ishte e suksesshme dhe tash po monitorohet, por duke marrë parasysh agresivitetin e kancerit të tij, ai mund të kthehet.
Duke mirëpritur hulumtimin e Qendrës së Kancerit, Culling, thotë se shpreson se ata që diagnostikohen në të ardhmen me këtë sëmundje të kenë rezultate më të mira.
Priten hulumtime të nivelit më të gjerë për të konfirmuar nëse statinat duke u përdorur me terapinë për të ulur nivelet hormonale, janë vërtetë të suksesshme për të trajtuar kancerin e prostatës.
“Studimi ynë është i pari i këtij lloji që tregon se statinat kanë efekt zbulues në rritjen e kancerit të prostatës te pacientët. Ne mendojmë se statinat mund të ndalojnë kancerin e prostatës që të prodhojë androgjenë nga kolesteroli, duke ia këputur një rrugë kancerit për t’i rezistuar terapisë së privimit nga androgjeni”, ka thënë profesori Hing Leung.