Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka folur për masat ndaj Kosovës e që sipas tij janë vendosur për shkak të mungesës së sjelljes në mënyrë evropiane.
Ai theksoi se nëse shtetet anëtare e konsiderojnë edhe Serbinë, do të vendosin masa edhe ndaj saj.
“Nëse shtetet anëtare të BE-së vendosin, atëherë ne do të vendosim masën e nevojshme kundër Serbisë nëse 27 shtetet anëtare deklarojnë se në situatën aktuale, në kontekstin aktual të kësaj krize të fundit se Serbia nuk po bën gjithçka për të de-eskaluar situatën”, ka thënë Stano.
Ai tutje deklaroi se Bashkimi Evropian po bën çdo gjë që i takon si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kur është fjala për temën që ngrihet nga 56 nënshkrimet dhe paralamentarët nga disa shtete anëtare dhe disa vende të tjera të treta. Mund të them vetëm se politikat e BE-së janë në unanimitet me ato 27 shteteve anëtare, ashtu siç kanë vendosur qeveritë e tyre”.
“Ne kemi mijëra-mijëra deputetë në Bashkimin Evropian, kështu që qëndrimet e BE-së përcaktohen nga vendimet e qeverive të 27 shteteve. Kur është fjala për dialogun dhe çështjen që ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë, kemi thënë shumë herë se BE-ja është ndërmjetësuese, po ndihmon të dyja palët për të arritur kompromiset e nevojshme për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.


