Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja është e interesuar që dialogu Kosovë – Serbi, të zhvillohet në tryezën e negociatave dhe jo në publik apo media.
“Qëllimi i BE-së është ta drejtojë dialogun aty ku e ka vendin, që do të thotë në tryezën e bisedimeve dhe jo në publik dhe jo në media”, ka thënë ai.
Tutje ai tha se edhe Kosova edhe Serbia i dinë mirë obligimet e tyre, derisa shtoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve dhe integrimi në BE, janë të lidhura së bashku.
“Palët e dinë shumë mirë, çfarë pritet nga ta të bëjnë në mënyrë që të shkohet përpara, të dyja në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe të avancojnë në Evropë, sepse këto dy procese lidhen bashkë me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Ndryshe, ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka shprehur disa akuza të rënda në drejtim të ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se po e mban anën e Serbisë.
Këto akuza të Kurtit i ka mohuar BE-ja, duke thënë se janë të pabaza.


