Bashkimi Evropian ka konsideruar se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se BE-ja rekomandon që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit.
“Me keqardhje konstatojmë se praktika e vendosur e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua sërish nga autoritetet e Kosovës. Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit. Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja rekomandon rifillimin e praktikës së vendosur për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim të BE-së.
Sipas bllokut, është thelbësore që votuesit serbë me të drejtë vote që banojnë në Kosovë, të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore.
Ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me Serbinë duhet të ketë një marrëveshje të veçantë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të merr pjesë në zgjedhjet e Serbisë.
Në letrën drejtuar shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar, bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.


