Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike sot mban mbledhjen e radhës.
Ky komision hetimor që u themelua me iniciativë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.
Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.
E në mbledhjen e sotme në rend dite do të jenë zgjedhja e ekspertëve.
Kryesues i këtij komisioni është deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, si dhe anëtari tjetër deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), janë deputetët Armend Muja, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, zëvendës kryesues Armend Muja.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare është deputetja Time Kadrijaj.
Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.
Kuvendi ka krijuar dy komisione hetimore për energjinë që ngjallën debate në Kuvendin e Kosovës mes pozitës dhe opozitës.
Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, komisionet hetimore themelohen për të hetuar probleme, çështje ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore.
Këto organe po ashtu ngrihen me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë./KosovaNews/


