Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i cili ka marrë pjesë në forumin e Bledit në Slloveni, ka falënderuar Tone Kajzer, ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, për organizimin e mëngjesit të punës me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në postimin e tij, Zulfaj, ka thënë se, ky takimi ka qenë një mundësi për të ndarë prioritetet tona në avancimin e statusit të Kosovës si vend kandidat dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
‘’ Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë domosdoshmëri. Ato mundësojnë lëvizshmërinë dhe ndërlidhjen e qytetarëve tanë dhe i mbajnë të rinjtë tanë duke ndërtuar të ardhmen e tyre në rajonin tonë, në vend që të largohen prej tij’’, ka shkruar ai.
Postimi:
Faleminderit ministër @TKajzer për organizimin e mëngjesit të punës me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ishte një mundësi e shkëlqyer për të ndarë prioritetet tona në avancimin e statusit tonë si vend kandidat dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Bashkimi Evropian u ndërtua si një projekt paqeje. Me luftën në kontinent, zgjerimi ka më shumë rëndësi se kurrë. Dhe ata që ndajnë vlerat e Unionit, avancojnë demokracinë, përafrojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me PESC-në e BE-së dhe forcojnë institucionet e sundimit të ligjit, duhet të ecin përpara.
Kjo është në interesin e vetë BE-së dhe një përgjegjësi e përbashkët e çdo shteti anëtar, të madh apo të vogël.
Kosova është e përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit, sepse ky proces e bën vendin tonë më të mirë.
Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë domosdoshmëri. Ato mundësojnë lëvizshmërinë dhe ndërlidhjen e qytetarëve tanë dhe i mbajnë të rinjtë tanë duke ndërtuar të ardhmen e tyre në rajonin tonë, në vend që të largohen prej tij.
Mezi presim të punojmë me Slloveninë për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në BE.

