Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës janë mbledhur sërish në Kuvendin e Kosovës, nga ku po kërkojnë që sa më shpejt të konstituohet ky organ.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxha, tha se nga ’99-ta nuk ka pasur gjendje më të rrezikshme politike në vend sesa gjendja aktuale.
“Kuvendi i Kosovës është themeli i shtetit. Në këtë sallë ne kemi shpallur pavarësinë, kemi miratuar Kushtetutën, jemi zotuar për një Republikë demokratike dhe parlamentare. Nga 7-8 gushti, këto themele janë rrënuar. Demokracia nuk shuhet vetëm përmes dhunës. Demokracia shuhet edhe përmes formave të tjera. Prej ’99-tës e deri sot, nuk ka pasur një gjendje politike më të rrezikshme e më të rëndë sesa gjendja politike që e kemi sot. Ne kemi ardhur çdo 48 orë për ta mbrojtur demokracinë. Çdo deputet i Kuvendit të Kosovës, kur dekretohet, betohet se do ta mbrojë rendin kushtetues dhe integritetin e institucioneve të Kosovës. Çdokush që sot nuk është në sallë është duke e shkelur këtë betim”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, foli për marrëveshjen e djeshme mes LVV-së dhe LDK-së për pozitën e presidentit.
“Populli i Kosovës e pa që ekziston një marrëveshje dypalëshe për presidentin. Ku janë ata sot? Nga dita e parë qëllimi thelbësor kurrë nuk ka qenë me prodhuar as president konsensual, as debat, me i dhënë Kosovës institucione, por gjithë diskutimi ka qenë për postin. Marrëveshja që ka ndodhur dje është dashur t’i detyrojë deputetët dhe kryesuesin që ta thërrasë seancën. AAK ju thotë qytetarëve, qëndrimi ynë ka qenë shumë parimor. Nuk ka asnjë fjalë të vetme prej subjektit që i ka fituar zgjedhjet për qëndrimin ndaj Aleancës. Mos ia mësyj nga Aleanca për shkak se ajo ka qëndrim”, ka shtuar ai.

