Rreth 6 milionë euro brenda një viti dyshohet se janë keqpërdorë brenda një viti si pasojë e mosdeklarimit të saktë të ujit të prodhuar nga KRU Prizreni dhe KRU Peja, apo rreth 60 milionë euro për 10 vite sa këto kompani nuk kanë raportuar drejtë e saktë për gjithë sasinë e prodhuar të ujit.
Këtë mega-skandal të këtyre kompanive e ka denoncuar sot deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili foli gjatë një konference për media dha detaje pasi që i kanë marrë raportet e Autoritetit Rregullativ të Ujit dhe Auditorit të Përgjithshëm për kompanitë.
Me këtë rast, deputeti Muja tha se të gjeturat tregojnë se mosraportimi i saktë i ujit të prodhuar ka qenë i qëllimshëm.
“Dje kemi marrë raportin në lidhje me ujin e prodhuar në Kosovë për vitin 2023. Në vitin 2021 ne kemi vërejtur anomali sa i përket raportimit të ujit të prodhuar në disa ujësjellës në Kosovë. Në bazë të raportit të Autoritetit Rregullativ të Ujit del që uji në ujësjellësin e Prizrenit është nënraportuar. Në vitin 2023 po prodhohet 73 për qind më shumë ujë se në vitin 2022 pas instalimit të ujëmatësve. Ndërsa, ish-menaxhmenti i KRU Hidrodrini në Pejë ka refuzuar kërkesat tona për të instaluar ujëmatës. ARU ka njoftuar se ky ujësjellës këtë vit po prodhon me 41 për qind më shumë. Pra arsyet për dyshimet tona janë evidente. Këto nuk kanë ardhur për shkak të ndryshimit të kapaciteteve por matjes së saktë të ujit. Dëmi që ne gjykojmë që i është bërë publikut vetëm në këta dy ujësjellës e kap shifrën rreth 6 milionë euro për një vi, apo rreth 60 milionë euro për 10 vite sa nuk është bërë raportim”, tha ai.
Muja tutje tha se sasi e madhe e ujit të prodhuar nuk është tarifuar fare.
Për këtë keqpërdorim multi milionësh, deputeti Muja tha se për të gjitha të gjeturat do t’i drejktohen organeve të ndjekjes – Prokurorisë, e cila do të merret me rastin.