Një situatë shqetësuese është denoncuar nga asamblisti i Lëvizjës Vetëvendosje në Komunën e Prizrenit, Selman Sokoli, i cili ka publikuar fotografi nga disa shkolla të qytetit. Sipas tij, shihet gjendja e rëndë e ngrohjes nëpër klasa, me nxemje të vogla dhe të pamjaftueshme për përballimin e temperaturave të ulëta, duke vështirësuar procesin mësimor për nxënësit.
“Ashtu po ‘nxehen’ shkollat tona. Nxënësit po detyrohen të mësojnë në kushte të papranueshme, si pasojë e neglizhencës dhe paaftësisë së udhëheqjes komunale”, ka deklaruar asamblisti, duke drejtuar akuza ndaj kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, si dhe ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Sipas tij, përgjegjësi direkte mban edhe drejtoresha e DKA-së, Luljeta Gutaj Veselaj, për shkak të mosmenaxhimit të duhur të situatës me ngrohjen në institucionet arsimore.
Ai e ka cilësuar gjendjen si “skandaloze” dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente për të siguruar kushte normale për nxënësit dhe mësimdhënësit.


