Monumente të rëndësishme që identifikojnë shqiptarët në veri të qytetit të Mitrovicës, më pothuajse nuk ekzistojnë. Serbët me ndihmën e Beogradit, kanë krijuar dhunshëm realitet të ri në atë pjesë, duke zhdukur gjithçka shqiptare dhe duke ndërtuar kisha, përmendore, lapidarë e monumente të ngjashme, të cilat i dedikohen historisë dhe figurave serbe e ruse.
Monumente të rëndësishme që identifikojnë shqiptarët në veri të qytetit të Mitrovicës, më pothuajse nuk ekzistojnë. Serbët me ndihmën e Beogradit, kanë krijuar dhunshëm realitet të ri në atë pjesë, duke zhdukur gjithçka shqiptare dhe duke ndërtuar kisha, përmendore, lapidarë e monumente të ngjashme, të cilat i dedikohen historisë dhe figurave serbe e ruse.
Ngritja e shtatores së ‘car Llazarit’, në qendër të veriut të këtij qyteti, pastaj ndërtimi i kishës ortodokse serbe në lagjen ‘Kodra e minatorëve’, përmendorja e konzulit rus Grigorij Shqerbin te rrethrrotullimi kryesor, lapidari ngjitur me urën kryesore mbi lumin Ibër, në përkujtim kinse të serbëve të vrarë nga NATO-ja, janë vetëm disa nga elementet që konfirmojnë qëllimin e shtetit të Serbisë për të fshirë historinë dhe kulturën shqiptare që me shekuj ka ekzistuar në atë pjesë.
Derisa veriorët nuk preferuan në asnjë mënyrë të flasin për këtë temë, bashkëqytetarët e tyre nga pjesa jugore thonë për KosovaPress, se të gjitha monumentet dhe objektet e ndryshme të ndërtuara pasluftës në atë pjesë, kanë prapavijë politike.
Sipas tyre, objektet që kanë ekzistuar para luftës atje dhe të cilat kanë identifikuar shqiptarët, tashmë janë zhdukur.
Shemsi Salihi, qytetar nga Mitrovica, tha se të gjitha ndërtimet të cilat kanë ndodhur pasluftës në veri, kanë prapavijë politike. Ai përmendi mullirin e vjetër dhe xhaminë që dikur ishin pranë cepit verior të urës mbi Ibër, por që janë zhdukur dhe nuk ekzistojnë më.
Salihi: Krejt çka po ndërtohet andej ka prapavijë politike
“Po, krejt çka po ndërtohet andej ka prapavijë politike… Ka qenë mulliri këtu, nuk është më. Ka qenë xhamia, njëjtë nuk është më, të gjitha po zhduken … Krejt çka po shitet andej është me plan, që me u shpërngul tanët këndej, ndërsa pjesa veriore me mbet me serbë”, ka thënë Salihi.
Edhe Xajë Dibrani, një qytetar tjetër i Mitrovicës, pranon se të gjitha ndërtimet e pasluftës në veri, kanë prapavijë politike. Ai për çështjen e Mitrovicës ka fajësuar politikanët për të cilët tha se e kanë ndarë këtë qytet dhe për më shumë se njëzet vite s’kanë bërë asgjë.
Dibrani: Mirë e mbaj mend xhaminë e mullirin e vjetër te ura
“Të gjitha ndërtimet çka janë përtej urës kanë prapavijë politike. Mirë e mbaj mend, këtu ka qenë xhamia e vjetër, edhe këtu me sa e di sepse kam qenë i ri, ka qenë mulliri. Pastaj atje kishën të cilën e kanë ndërtu, nuk ka pas kishë kurrë…Që njëzet e më shumë vite s’ka asgjë nga kjo punë, meqenëse janë edhe politikanët tonë të cilët e kanë ndarë, me çfarë qëllimi më mirë e dinë ata”, theksoi Dibrani.
Ndërkaq, Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë dhe punëtor shumëvjeçar i kulturës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, bënë të ditur për KosovaPress, se veriu i Mitrovicës fatkeqësisht ka pësuar ndryshime rrënjësore pasluftës së fundit në Kosovë.
Barani: Në Mitrovicë 85 për qind kanë qenë shqiptarë, ndërsa 15 për qind të tjerë
“Mitrovica fatkeqësisht ka ndryshim rrënjësorë për të keq. Kur e them këtë e kam parasysh se së pari janë rrënuar dy objekte kulturore të cilat kanë qenë 100 metra larg nga këtu ku jemi. Matanë urës është rrënuar xhamia të cilës tash nuk i dihen as themelet, pastaj është rrënuar edhe mulliri që po ashtu nuk i dihen sot themelet. Pak më lartë në lagjen ‘Kodra e minatorëve’ është ndërtuar një kishë e re, ndërsa pjesa dërmuese ku është ndërtuar kisha është tokë e shqiptarëve të cilët i kanë listat poseduese, por që nuk i kanë pyetur fare. Një kilometër më larg kanë filluar ndërtimin e një kishe tjetër.
Sipas tij, shteti i Serbisë ka rrënuar objekte kulturore që kanë ekzistuar ndër vite dhe të cilave tashmë nuk iu dihen as themelet, ndërsa ka ndërtuar dhe po vazhdon të ndërtojë lapidarë e objekte, madje në pronat e shqiptarëve.
Barani: Beogradi i ka rrënuar dhe Beogradi po ndërton vend e pavend
“Krejt këto po i bënë shteti i Serbisë, Beogradi, dhe jo serbët e Mitrovicës, do të thotë Beogradi i ka rrënuar dhe Beogradi po ndërton vend e pavend, ku nuk ka pasur kisha kurrë… Në vend të mullirit kanë ngritur një lapidar apo pllakë përkujtimore me emra kinse të disa serbëve që janë vrarë në luftë, për të cilët kanë thënë se i ka vrarë NATO gjatë bombardimeve, gjë që nuk qëndron, sepse aty ka emra të serbëve të cilët kanë vdekur shumë para luftës. P.sh. Gollub Kokeriq të cilin e kam pasur komshi, ka vdekur shumë para lufte dhe emri i tij qëndron në këtë pllakë”, tha Barani.
Ai theksoi se synim i kamotshëm i Serbisë ka qenë shfarosja dhe asimilimi i shqiptarëve.
Barani: Asnjë qeveri tash e 22 vite nuk është interesuar për pjesën e okupuar të qytetit,
“Kjo është fatkeqësi që askush nuk interesohet prej udhëheqësve tonë dhe qeverisë, jo vetëm qeveria sot, por asnjë qeveri tash e 22 vite nuk është interesuar për pjesën e okupuar të qytetit, përkatësisht për objektet të cilat janë rrënuar e që kanë qenë shqiptare, e që po ndërtohen lapidare të rrejshme të banditëve dhe kriminelëve që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare, si dhe ndërtohen kisha të reja… Kjo dihet saktësisht sepse në momentin që përmenda ndërtimin nga ana e Beogradit, përkatësisht synim i kamotshëm i Serbisë ka qenë asimilimi dhe shfarosja e shqiptarëve. Në Mitrovicë kanë qenë 85 përqind banorë shqiptarë, ndërsa 15 për qind të tjerë, duke përfshirë këtu romët, ashkalinjt, boshnjakët, turqit, malazezët etj. Ndërsa tani në pjesën e okupuar ka shumë pak banorë shqiptarë”, potencoi Barani.
Në anën tjetër, politologu Musa Preteni, thotë se Serbia historikisht ka përdorur dy elemente për të arritur qëllimet e saj, ndryshimin e demografisë në veriun e Kosovës, si dhe ndërtimin e objekteve me qëllime politike, duke zhdukur objekte tjera të cilat kanë faktuar prezencën e shqiptarëve në atë pjesë.
Preteni: Serbia ka përdorur metoda të ndryshme për të arritur qëllimet e veta politike
“Shteti i Serbisë historikisht dhe në vazhdimësi ka përdorur dy elemente për të arritur qëllimet e veta politike. E para, ka përdorur metoda të ndryshme për ndryshime demografike me qëllime politike në Ballkan, sidomos në veriun e Kosovës, kur dihet se pjesa më e madhe e saj ka qenë e banuar me banorë shqiptarë, dhe për këto 20 vite Serbia ka përdorur metoda të ndryshme për ndryshimin e demografisë. E dyta, ka ndërtuar në vazhdimësi objekte të ndryshme me qëllime politike dhe njëkohësisht ka zhdukur objektet tjera të cilat kanë sjellë fakte historike për banimin e kësaj pjese me shqiptarë”, sqaroi Preteni për KosovaPress.
Ndryshe, kësaj politike antishqiptare, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk iu kundërvuan ashtu siç duhet, andaj edhe realiteti i ri i ndihmuar nga shteti i Serbisë nuk ishte vështirë të realizohet. /KosovaPress/