Ad image

​Zyrat e KQZ-së të mbyllura në veri, kërkohet siguri për u.d të zyrtarëve komunalë të zgjedhjeve

Kosova News
Kosova News 14:37 -24/11/2022

Pas dorëheqjes së katër zyrtarëve të lartë komunalë të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar katër ushtruesit e detyrës, të cilët do të kryejnë detyrat në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Por për shkak të sigurisë dhe se zyrat e KQZ-së në këto komuna vazhdojnë të jenë të mbyllura, këta zyrtarë nuk janë dërguar atje për të kryer veprimtarinë e tyre.

E anëtarët e KQZ-së kërkuan siguri dhe angazhim të të gjitha institucioneve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve e jashtëzakonshme komunale në katër komunat veriore, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022.

Gjatë kësaj mbledhje të KQZ-së, po ashtu u bë e ditur se gjithsej 14 parti politike përfshirë edhe Listën Serbe, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kryeshefi-ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj u shpreh se më 22 nëntor ka caktuar 4 ushtrues detyre të zyrtarëve të lartë komunalë në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet.

Sipas tij, zyrat e KQZ-së në këto komuna vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe për shkak të sigurisë, këta zyrtarë fushëveprimin e tyre po e kryejnë nga zyrat nga komunat ku veprojnë.

“Zyrat në komunën e Zveçanit, Zubin Potok, Leposaviq janë në objektin e administratës komunale dhe në Mitrovicën e Veriut po ashtu është në ambientet e administratës komunale por nuk është direkt në zyrat tjera. Por pavarësisht kësaj zyrat akoma qëndrojnë të mbyllura dhe nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë për çështje sigurie. Janë bërë përpjekje për shfrytëzimin e zyrave, por deri më tani nuk mund të shfrytëzohen aktualisht zyrtarët që janë caktuar si ushtrues detyre do të veprojnë nga lokacionet e tyre nga komunat përkatëse nga të cilat janë duke ushtruar funksionin e tyre. Kemi kërkuar po ashtu edhe masa sigurie për zyrtarët nga Policia e Kosovës ku kemi pasur edhe takime të njëpasnjëshme dhe PK është në fazën e vlerësimit të rrezikshmërisë dhe nuk kemi ndonjë raport përfundimtar dhe përderisa nuk kemi konfirmim për ofrimin e sigurisë fushveprimtaria e zyrtarëve të lartë komunal akoma vazhdon të ushtrohet nga zyrat e tyre”, tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi të di se përse këta zyrtarë nuk janë përzgjedhur nga komunat me shumicë serbe.

“A është bërë përpjekje me i kontakua zyrtarët e lartë komunalw nga komunat që janë me komunitetet serb, Partesh, Novobërdë, Ranilluk”, theksoi ai.

Kryeshefi i SKQZ-së, Ahmetaj, u shpreh se katër zyrtarët komunal janë zgjedhur nga komunat që janë më afër gjeografikisht me komunat që do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Zyrtarët komunalë u takojnë komunave të Drenasit, Skenderajt, Vushtrrisë dhe Mitrovica e Jugut.

Bashkërendim të të gjitha institucioneve me qëllim të ofrimit të sigurisë për stafin zgjedhor por edhe për mbarëvajtje të procesit zgjedhor ka kërkuar Sami Hamiti anëtar i KQZ-së nga LDK.

Edhe Ilir Gashi nga PDK kërkoi angazhim të të gjitha institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale që do të mbahen në 4 komunat veriore.

Ai tha se është lehtë të emërohen zyrtarë të lartë komunal, por atyre ofruar siguri për veprim.

Gordana Laban Zuviq, përfaqësuese e Listës Serbe në KQZ kërkoi që zyrtarët e angazhuar në veri të flasin gjuhën serbe.

“Zyrtarët që ne kemi angazhuar në veri të flasin gjuhen serbe, duke qenë se shumica e popullsisë flet gjuhën serbe, dhe nëse dikush vjen dhe dëshiron të flasë, gjuha do të jetë një problem i madh. Nën një është siguria, por nëse fillon procesi, gjuha do të jetë problem. Mendoj se ata njerëz duhet të flasin gjuhen serbe, nuk është nevoja të flasin perfekt të flasin, por ata duhet të flasin serbisht, te kuptojnë, që të jenë në gjendje të vendosin procesin. Sa i përket sigurisë, dhe gjithçka tjetër, sigurisht që është më e rëndësishmja, nëse nuk e sigurojmë atë, nuk do të mund ta mbajmë zgjedhjet fare, por siguria shpresoj se do të sigurohet, dhe se do të dakordohen se si do ti mbajnë”, tha ajo.

Gjatë kësaj mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vesa Xharra nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike njoftoi se edhe zyrtarisht 14 paritë politike, përfshirë edhe Listën Serbe kanë deklaruar për mospjesëmarrje në zgjedhje.

Shpërndaje