Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të mërkurën se institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe ato të aleatëve, kanë konfirmuar se në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit kishte grupe të armatosura dhe të uniformuara me maska në pjesën e veriore të vendit.
Sveçla tha se për ngjarjet që ndodhën në fund të korrikut e fillim gushtit, janë duke u bërë hetime intensive.
“Ne kemi dëshmi për prezencë të grupeve të armatosura, të uniformuara me maska në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit. Institucionet tona janë duke punuar që t’i identifikojnë të gjithë ata. Unë besoj se janë në rrugë të mirë për t’i arritur, por siç e thatë edhe ju vetë, është hera e parë që vetë presidenti i Serbisë e konfirmon një gjë të cilën ne e kemi thënë ka një kohë dhe e cila është konfirmuar edhe nga aleatët tanë nga bashkësia ndërkombëtare nga sektorët e tyre të sigurisë. Për këtë lloj prezence e cila është e infiltruar në masë të madhe nga territori i Serbisë, por edhe shfrytëzojnë pjesëtarët e xhandarmërisë të cilët jetojnë në Kosovë apo edhe grupe kriminale të cilat veprojnë në atë zonë”, ka thënë ministri në përgjigjen e dhënë për KosovaNews.
Ai tutje shtoi se në vazhdimësi kanë theksuar se këto grupe po drejtohen nga strukturat qeveritare të Serbisë, madje vetë presidenti Aleksandër Vuçiq.
“Që të gjitha grupet që janë të organizuara në drejtim të luftimit të shtrirjes së sovranitetit dhe ruatjes së integritetit territorial të institucioneve të Republikës së Kosovës jo vetëm se janë të cytura, por janë edhe të financuara dhe të udhëhequra nga Aleksandër Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë”, ka thënë ministri Sveçla.
Dje presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiq për herë të parë ka deklaruar dhe ka konfirmuar prezencën e grupeve ushtarake në veriun e Kosovës në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit. Mirëpo ai pohoi se këto grupe të uniformuara ishin të paarmatosura.
Por, në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit është raportuar se Policia e Kosovës është sulmuar me armë zjarri./KosovaNews/
Këto pohime Vuçiq, i dha në një seancë që u mbajt dje në Kuvendin e Serbisë ku në rend dite është dialogu me Kosovën dhe marrëveshjet e deritashme përfshirë atë të fundit, për dokumentet e idenfitikimit./KosovaNews/