Ministria e Drejtësisë njofton se mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.
Në një njoftim mër media thuhet se procedura disiplinore ndaj Topallit është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
“Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi në një konferencë për media se Inspektorati i këtij institucioni, ka kryer inspektim rreth zbatimit të procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Haxhiu tha se janë gjetur një sërë shkeljesh.
“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK-së, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja shtoi se incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarë të SHKK-së, janë marrë para se t’i merrte Policia.
“Pra, është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së, kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes. Sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është Policia”, shtoi ajo.


