Njësi të Specializuara të Policisë së Kosovës nga orët e mëngjesit të sotëm janë duke kryer një operacion të gjerë të kontrolleve në disa prej lagjeve luksoze të kryeqytetit.
Njësi të shumta speciale janë parë në lagjen e Universitetit apo Lagjen ‘Velania’ lagje këto të njohura ku jetojnë peronat e kamur të kryeqytetit.
Prezenca e Specialëve në këtë zonë është pjesë e operacionit Brezovica.
Mësohet se të pakën 11 lokacione janë pjesë e bastisjes së gjerë e cila përpos veprimtarisë së shpëlarjes së parave ka edhe dyshime për veprimtari të fajdeve.
Në zonën ku po kryhen bastisjet përpos njësive speciale dhe atyre të krimeve të rënda është parë edhe prokurori që po e heton rastin Rasim Maloku.
Maloku në një deklaratë të shkurtër ka konfirmuar se operacioni është pjesë e hetimit të rastit Brezovica.
“Deri më tani kemi arrestuar 7 persona në këtë operacion dhe kemi sekuestruar disa prova përfshire edhe armë” ka thënë Maloku.
I njëjti ka konfirmuar se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa vetura.
Rasti Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.
Dosja ngritë dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mitos nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.
Deri më tani prokuroria ka bllokuar prona në vlerë mbi 5 milionë euro të cilat po mbahen të sekuestruara për llogari të këtij hetimi.