Kryeministri Albin Kurti ka komentuar edhe atentatin e planifikuar ndaj tij, i cili u bë publik të hënën nga mediat në Shqipëri.
Kurti ka thënë se ishin në dijeni të atyre planifikimeve, por ato nuk janë publikuar për të mos shqetësuar popullatën.
“Sa jam i sigurt nuk e di, por unë ndihem i sigurt. Sa jam i sigurt e vlerësojnë organet e drejtësisë. E kemi thënë që kemi qenë në dijeni të atyre planifikimeve, por s’i kemi publikuar pasi është vlerësuar se janë bërë për të shqetësuar popullatën dhe për të krijuar destabilizim”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së hënë u raportua se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe dy persona të tjerë, nga një shtetas nga Shqipëria.
Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.
Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.
I dyshuari që ishte porositur të kryente vrasjet, është Prek Kodra, shtetas shqiptar.
Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve.
Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa lëviz në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.
I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar, i datëlindjes 01.05.1976.
E po të hënën pas raportimeve edhe Qeveria e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht kërcënimin që ishte bërë ndaj kryeministrit Albin Kurti në vitin 2021.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës, raporton KosovaNews.
Tutje nga Qeveria e Kosovës thuhet se “Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.
Ndërkohë snajperisti Prekë Kodra, që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, rezulton të ketë njohje me deputet të Kuvendit të Kosovës.
Në një fotografi të siguruar nga shqip.com, Kodra shihet në darkë me deputetin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.
Sipas informacioneve, fotografia del të jetë realizuar në Prizren në fund të vitit 2020, në kohën kur Selmanaj ishte zëvendëskryeministër.


