Ceremonia hapëse e ushtrimit “Defender Europe 23” e organizuar nga NATO, tashmë ka filluar në sheshin e Prishtinës.
Në vendin e ngjarjes shihen njësi, pajisje dhe automjete të ushtrisë së vendit.
Në këtë ceremoni të pranishëm janë edhe krerët e shtetit, si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari etj.
Ushtarë të shumtë të Forcave të Armatosura të Kosovës janë në mesin e ushtrive të 13 shteteve që do të marrin pjesë në këtë stërvitje që do të mbahen në Babaj të Bokës së Gjakovës.
Stërvitja ‘Defender 2023’ do të zhvillohet nga 21 maji deri më 2 qershor dhe përfshin më shumë se 7,000 anëtarë të shërbimit të SHBA dhe 17,000 trupa shumëkombëshe nga vende aleate dhe partnere.
Task Forca Jug, tashmë është plotësuar edhe me ushtarakët amerikanë që i bashkohen trupave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Prezenca e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e bën këtë strukturë edhe më të veçantë.
Në “Defender 2023”, do të marrin pjesë trupat amerikane dhe ato të NATO-s. Stërvitja do të drejtohet nga Komanda Europiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj potencoi dje se për të arritur në këtë ditë janë bërë investime në pajisje dhe sisteme të armatimit si asnjëherë më parë.
“Më shumë se një vit përgatitje intensive për realizimin e suksesshme të këtij ushtrimi. Investime në pajisje dhe sisteme të armatimit, investime në infrastrukturë, trajnime, stërvitje e shkollime si asnjëherë më parë”, shkroi Mehaj.





