Ka përfunduar bastisja 10-orëshe nga trupat e EULEX-it në banesën e ish-këshilltarit të ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, raporton KosovaNews.
Avokati Artan Qerkini ka thënë se bastisja në shtëpinë e Behramajt është bërë me një arsyetim se po hetohet lidhur me dyshimin për një vepër penale e cila sipas tyre, hyn në juridiksionin e Speciales. Ai tha se nuk specifikohet se për çfarë vepre penale bëhet fjalë.

“Sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e ka parë vendimin e ka bërë një vlerësim fillestar të tij, mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese, mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural. Nuk është legjitimuar, është vetëm një hetim për një vepër penale e cila, sipas tyre, bie nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Qerkini para gazetarëve, raporton KosovaNews.
Qerkini bëri të ditur se ndaj Behramajt, aktualisht drejtues i mediumit “Demokracia” nuk ka ka urdhërarrest.
Madje edhe Behramaj u paraqit para medieve, por foli shkurt.
Qerkini ka thënë se është herët të flitet nëse kjo gjë ka të bëjë me rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Bastisja ka përfunduar. Ne po shkojmë në punët tona”, është deklaruar shkurt ai përpara mediave.
Qerkini më herët njoftoi se bastisja në banesën e Behramajt ka nisur rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 18:30 të mbrëmjes./KosovaNews/
Lexo po ashtu:








