Është rritur prezenca e trupave të KFOR-it në pikën kufitare në Jarinjë.
Automjetet të shumta ushtarake të KFOR-it kanë “blinduar” pikën kufitare në Jarinje këtë mëngjes.
Ky veprim i KFOR-it vjen pas disa paralajmërimeve nga grupet ultra-nacionaliste serbe për një sulm ndaj kufirit në Jarinje dhe djegie të pikës kufitare.
Po ashtu numër i shtuar i forcave të KFOR-it është parë edhe në Mitrovicën e Veriut.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.


