Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Kampin e Policisë në Belvedere dhe është takuar me oficerët e policisë, të cilët i quajti të çeliktë. Kurti tha se aty u njoftua për aksionet, operacionet dhe aktivitetet e të arriturat e policisë, teksa shtoi se sukseset e tyre për rend, ligj dhe kushtetutshmëri në katër komunat në veri janë mahnitëse.
“Motivimi e morali i tyre janë të lartë kurse profesionalizmi dhe disiplina e pashoq. Mbështetja jonë për ta është e garantuar”, tha Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Pasditen e kalova sot në Mitrovicë. Nga palestra “Minatori” e demonstrimit të vajzës sonë të artë në xhudo, Majlinda Kelmendi, te oficerët tanë të çeliktë në Kampin e Policisë në Belvedere.
U njoftova për aksionet e operacionet, aktivitetet e të arriturat e Policisë së Kosovës.
Sukseset e tyre për rend, ligj dhe kushtetutshmëri në katër komunat tona në veri të vendit janë mahnitëse.
Motivimi e morali i tyre janë të lartë kurse profesionalizmi dhe disiplina e pashoq.
Mbështetja jonë për ta është e garantuar. Bashkë me ministrin e Brendshëm Sveçla, drejtorin e Policisë, Hoxha, dhe gjithë të tjerët në fund shijuam shujtat e ngrohta në mensën e re të Kampit.