Pas një pune intensive prej disa javësh hetuesit e Policisë së Kosovës nga Krimet Ekonomike kanë arritur ta arrestojnë edhe një person tjetër që lidhet me rastin e korrupsionit prej 10000 eurosh në Komunën e Vitisë.
Gjatë hetimeve hetuesit kanë kuptuar se personat e arrestuar më 27 prill 2023, A.R (shtetas e R. Maqedonisë) dhe M.D (Zyrtar i gjendjes Civile në Viti) nuk njihen mes veti dhe për kryerjen e veprës penale kanë pasur një person tjetër si ndërmjetësues, i cili është identifikuar si i dyshuari i tretë dhe për të cilin hetuesit janë vënë në kërkim, identifikim të tij.
KosovaNews nga burimet e saj mëson se personi i arrestuar sot (24 maj 2023) është sekseri – pra, ai që ka ndërmjetësuar në rastin e kryerjes së veprës penale “Dhënie të Ryshfetit”, “Marrje të Ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritet zyrtarë”.
Personi i prangosur sot është Z.H., dhe ai është intervistuar nga hetuesit e Krimeve Ekonomike për rastin e korrupsionit në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pastaj me vendim të Prokurorit të Shteti është dërguar në masën e ndalimit për 48 orë, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Kujtojmë se një muaj më parë, më saktësisht më 27 prill të këtij viti Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për veprat penale “marrje e dhënies së ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Atë ditë policia pati njoftuar se i dyshuari A.R. i lindur më 1978 dhe me shtetësi të Maqedonisë së Veriut në këmbim të fitimit të shtetësisë së Kosovës i kishte dhënë dhjetëmijë euro një të dyshuari tjetër në komunën e Vitisë.
E nga hetimet kishte rezultuar se shumën e paguar prej 10000 (Dhjetë mijë euro ) e kishte marrë zyrtari M.D (Zyrtar i gjendjes Civile në Viti), për çka edhe ishte arrestuar me datën 27 prill 2023.