Personi që rreth një dekadë ka mbajtur pozita të larta drejtuese në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe së fundi ishte drejtor në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL), Rasim Selmani, është degraduar në pozitë.
Redaksia e KosovaNews merr vesh se Selmani nga pozita e drejtorit është degraduar në pozitë më të ulët.
Ai është caktuar në pozitën e udhëheqësit të njësisë për punë dhe aftësim profesional brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
Për këtë zyrtar, KosovaNews kohë më parë ka publikuar një hulumtim, respektivisht dosjen ekskluzive ku paraqiten një varg shkeljesh të rënda disiplinore dhe dallaveret e Rasim Selmanit, që ka bërë gjatë punës së tij në pozita të ndryshme si drejtues në ShKK.
Dosjet e hetimeve konfidenciale që i ka botuar në një artikull KosovaNews tregojnë se Rasim Selmani ka vepruar në kundërshtim me ligjet dhe është nxjerr përgjegjës për dallaveret që kanë ndodhur me rastin e punësimeve të zyrtarëve korrektues në Qendër Operative.
“Vjen rendi edhe për ty”, këto janë fjalët që Selmani u thoshte zyrtarëve që ankoheshin se vendin e punës kishte zënë një person pa kaluar testin e përcaktuar në konkurs.
LEXO më shumë:
Në kohën sa ishte në udhëheqje Selmani kishin ndodhur edhe punësime të personave pa aplikuar fare në konkurs, si dhe punësime të familjarëve.
Kurse në një rast tjetër Selmani ka bërë shkelje tjera të rënda, pasi në mënyrë të paligjshme i ka dhënë privilegje një të dënuari për terrorizëm.
Në dosjen e hetimeve evidentohen disa raste kur të burgosurit Fehmi Musa, i shpallur fajtor për veprën penale, shtytja për kryerjen e veprave terroriste, i janë bërë beneficione.
Se kjo ka ndodhur në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL) e kishte pranuar edhe vetë Selmani, mirëpo ai konsideronte se kjo nuk është shkelje, por vetëm një lëshim që ka ndodhur pasi ka rënë në lajthitje nga vlerësimi i panelit.
Mirëpo komisioni i ShKK-së i ka nxjerrë përgjegjës Rasim Selmanin dhe vartësit e tij, për këtë veprim në kundërshtim ligjet dhe me rregullat që operojnë institucionet korrektuese.
LEXO më shumë: