Ministria e Drejtësisë ka reaguar sot pas publikimit të hulumtimit në KosovaNews, respektivisht të dosjes ekskluzive mbi shkeljet dhe dallaveret e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, i cili gjatë punës së tij në pozita të ndryshme si drejtues në ShKK, ka bërë një varg shkeljesh të rënda disiplinore.
Dosjet e hetimeve konfidenciale që i ka botuar në një artikull KosovaNews tregojnë se Rasim Selmani ka vepruar në kundërshtim me ligjet dhe është nxjerr përgjegjës për dallaveret që kanë ndodhur me rastin e punësimeve të zyrtarëve korrektues në Qendër Operative, kurse në një rast tjetër ka bërë shkelje tjera të rënda, pasi në mënyrë të paligjshme i ka dhënë privilegje një të dënuari për terrorizëm.
Përkundër këtyre, Rasim Selmani, pasi ka mbajtur poste të shumta dhe të larta, tani po synon të ngjitet edhe më lartë në hierarkinë institucionale. Ai tani është në listën e ngushtë për t’u përzgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, respektivisht Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
Kosovanews ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë sqarime se si është e mundur që një zyrtar me gjithë këto shkelje, jo vetëm që aktualisht po mban postin e drejtorit në BSL, por tani ka arritur të që hyj edhe në listën e ngushtë për t’u zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
MD: Në pozita drejtuese të vendosen njerëz me integritet personal e profesional
Në përgjigjet e dhëna sot, Ministria e Drejtësisë tregon se nuk ka kompetencë në përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, mirëpo thekson se është shumë e rëndësishme që në pozita drejtuese, të vendosen njerëz me integritet personal e profesional, e të cilët nuk kanë probleme me ligjin dhe se respektojnë rregullat e përgjithshme administrative.
“Siç është e ditur, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë funksionon Shërbimi Korrektues i Kosovës, që merret me menaxhimin e institucioneve korrektuese në nivel të vendit. Megjithatë, si Ministri e Drejtësisë nuk kemi kompetencë në përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, mirëpo theksojmë se është shumë e rëndësishme që në pozita drejtuese të vendosen njerëz me integritet personal e profesional, të cilët nuk kanë probleme me ligjin dhe se respektojnë rregullat e përgjithshme administrative. Ky është synim yni i vazhdueshëm për të cilin angazhohemi pareshtur, pa asnjë dallim sa i përket individëve specifikisht”, kanë thënë nga MD për KosovaNewws.
MD: Jemi të shqetësuar, kemi ndërmarrë veprime
Në përgjigjet e saj nga Ministria e Drejtësisë më tutje thonë se ndajnë shqetësimin me ato që janë raportuar dhe se kanë ndërmarrë veprime përkatëse në drejtim të vërtetimit dhe këtë proces do ta trajtojmë me nivel maksimal të seriozitetit.
“Konkretisht lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se me vëmendje e interes të lartë i kemi ndjekur raportimet tuaja lidhur me pretendimet për shkelje të natyrave të ndryshme në Burgun e Sigurisë së Lartë. Ne, përpos që ndajmë shqetësimin e plotë për denoncimet tuaja, ju garantojmë se menjëherë pasi jemi vënë në dijeni nga lajmi që keni publikuar, kemi ndërmarrë veprime përkatëse në drejtim të vërtetimit të tij dhe këtë proces do ta trajtojmë me nivel maksimal të seriozitetit”, thuhet në përgjigje.
Për më tepër, nga MD theksojnë se tash e një kohë janë tërësisht të angazhuar për reforma të thella në sistemin e drejtësisë, me qëllim të ngritjes së kredibilitetit dhe integritetit të tij.
Por që kjo të ketë sukses, sipas MD duhet që të reflektojë edhe shërbimi civil.
“Normalisht që presim që edhe shërbimi civil të reflektojë të njëjtin qëllim, ashtu që në krye të institucioneve të vendosen njerëz me përgatitje profesionale dhe patjetër edhe me integritet personal. Rrjedhimisht, secili individ që i plotëson këto kritere, e ka mbështetjen tonë për avancim të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ashtu që aty të mbizotërojë ligjshmëria, profesionalizmi dhe transparenca!”, thuhet nga Ministria e Drejtësisë./KosovaNews