Pas hetimeve paraprake, pjesëtarët policor nga sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, sot e kanë arrestuar një zyrtar të komunës së Prishtinës, pasi ky dyshohet të jetë përfshirë në kryerjen e veprave penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit’.
I arrestuari është R.M., (viti i lindjes 1958, mashkull kosovar), zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Prishtinës (ofiqar i Zyrës Lokale në Dardani).
Policia njofton se dyshohet që i arrestuari i ka kryer veprat penale kur ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim, duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj).
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht: një telefon celular; 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm; një karikator i armës; si dhe dokumente të ndryshme, certifikata, vërtetime të regjistrimit, foto të librave amzë dhe dokumente të tjera të personave të ndryshëm”, thuhet nga Policia.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë deri në marrjen e njuë vendimi tjetër nga organet e drejtësisë./Kosovanews/



