Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin nga akuza të katër ministrave të ish-Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj e Dardan Gashi, në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”.
Në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesë ne Prokurorisë të Prokurorisë Speciale duke vërtetuar aktgjykimin e Themelores.
Për rastin “Falja e Hidrocentraleve”, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së KEK-ut. Hetimet për këtë aktakuzë patën nisur pas një raportimi në Koha Ditore.
Ish-zyrtarët patën votuar që Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, ai në Dinakcë dhe Hidrocentrali i Radavcit të kalojnë në pronësi të kompanisë “Limak-Calik”.
Rasti “Falja e Hidrocentraleve” ka rreth 10 vjet që ka nisur. Megjithatë, është përcjellë me zvarritje kohë pas kohe, përveç në hetime, edhe në procesin gjyqësor.