Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen zyrtare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, shprehu entuziazmin dhe mirënjohjen e tij për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm në Shqipëri.
Me praninë e 47 liderëve evropianë, Rama e cilësoi Samitin si një moment historik që përforcon lidhjen e Shqipërisë me projektin evropian.
Duke iu referuar fushatës së fundit elektorale, Rama theksoi se ajo ishte përqendruar plotësisht te Evropa, përkatësia dhe identiteti.
“Të nderuar miq të ftuar, më besoni morra e dhashë që të gjëja fjalët e duhura për të shprehur lumturinë time për këtë Samit. Është vërtetë një nder i jashtëzakonshëm për të gjithë vendin tim, popullin shqiptar që t’ju mirëpres në këtë shtëpi të ndërtuar enkas, ku nuk jeni të rrethuar nga makthet e Evropës, apo zbrazëtia, por nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Evropën. Endrrat e fëmijëve kurrë nuk mbahen peng nga mitet e së shkuarës.
Keni ardhur në një moment mjaft domethënës në këtë vend ku kemi mësuar të shohim të shkuarën me sytë e së ardhmes. Mbërritja juaj vijon me një fushatë zgjedhore ku Evropa ka qenë më e pranishme se kurrë. Ja pse është kaq kënaqësi që fushata u përqendrua tek këto fjalë Evropë, identitet dhe përkatësi. 52% për ne për të mbetur apo për tu bashkuar, por ishte 48% i mbetur, ata nuk janë euroskpetikë, por janë eurooptimistë të painformuar që mendojnë se duhet të isha shkarkuar që nuk arrita të bashkoja Shqipërinë me BE shumë kohë më parë, por nuk është ky argumenti im”, ka thënë Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar bëri një apel për të mos harruar “Evropën tjetër” – atë të iluminizmit dhe arsyes njerëzore. Sipas tij, ndërsa kontinenti përgatitet për të përballuar sfida të reja ushtarake dhe gjeopolitike, nuk duhet të braktiset vizioni fillestar i Evropës si një projekt paqeje dhe humanizmi.
“Edhe sot miti i Evropës vazhdon të jetë i pranishëm. Ëndrra e paqes së përhershme është zëvendësuar me makthin e luftës së përhershme. Fantazmat e miteve imperiale, zhvendosja e aleancave, paqëndrueshmëriamëria, besoj se nuk ka moment më të mirë se ky për të na kujtuar që ndërkohë që kemi menduar për Evropën e qëndresës, të mbrojtjes për kapacitete të reja ushtarake nuk duhet të harrojmë Evropën tjetër, të iluminizmit, arsyes njerëzore. Kjo Evropë që për një moment të caktuar i dha jetë projektit më të pangjashëm në historinë njerëzore na mësoi se edhe ish armiqtë mund të bëheshin bashkë. Ata kthyen lumenjtë e vjetër të gjakut në rrugë të reja paqeje. Ishte ajo Evropë që na mësoi që në mes të konflikteve më të tmerrshme duhet të kemi besim tek humanizmi i armiqve tanë, sepse kur armiqësitë degjenerojnë në luftë shfarosjeje e gjithë drejtësia shkatërrohet dhe paqja e përhershme bëhet varreza e njerëzimit”, ka shtuar Rama.